Një sërë udhëheqësish të BE-së i janë bashkuar zërave kritikë ndaj Turqisë, në mesin e mosmarrëveshjeve në rritje nga përpjekjet e Ankarasë për të zhvilluar tubime elektorale në vendet europiane.
Recep Tayyip Erdogan i akuzoi për “nazizëm” Gjermaninë dhe Holandën, pas bllokimit të mitingjeve turke në këto vende. Komentet e tij, kryeministri holandez Mark Rutte i cilësoi të papranueshme.
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel tha se shpreson që “Turqia t’i thërrasë mendjes”, ndërsa ai i Brendshëm, Thomas de Maiziere e bëri të qartë se ka disa “kufij”, siç është ofendimi i Gjermanisë dhe rendit kushtetutes, të cilët nuk duhen shkelur.
“Nuk ka vend në Gjermani për fushatat elektorale të Turqisë”, ishte komenti i De Maiziere.
Me shqetësim e sheh situatën edhe kreu i ekzekutivit danez. Lars Lokke Rasmussen shtyu një takim të planifikuar me Erdoganin, me argumentin se ai nuk mund të shihej si i shkëputur nga sulmet e fundit të Turqisë ndaj Holandës.
Vet kreu i shtetit turk nuk u mjaftua me kërcënimet e bëra ndaj shtetit europian, por i drejtoi dhe një thirrje organizatave ndërkombëtare që të vendosin sanksione ndaj tij.
“Holanda nuk është fare si vendet e tjera të BE-së. Ajo po vepron si një ‘republikë bananesh’. Bota po e sheh sesi ata që i japin prej vitesh leksione Turqisë mbi të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë, vet janë shumë larg këtyre vlerave”, tha Erdogan.
Një ditë pasi i ndaloi uljen avionit me të cilin udhëtonte ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, Holanda ktheu mbrapsht edhe ministren e Çështjeve të Familjes, Fatma Betul Kaya, e cila duhej të zhvillonte një miting në Roterdam, ku më pas shpërthyen protestat përpara Konsullatës së Turqisë