Zoti ynë Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “O ju që keni besuar. Kini frikë Zotin ashtu siç i ka hije madhështisë së Tij dhe mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë”.
Ne të gjithë tashmë e dimë, se Islami është feja që përhapet me shpejtësinë më të madhe në botë dhe numri i muslimanëve rritet dita – ditës. Por ne e dimë gjithashtu, se ndaj kësaj feje dhe pasuesve të saj ka presion shumë të madh. Ushtrohet presion brenda trojeve dhe botës islame, ku ata persona që kapen pas fesë dhe bëhen praktikantë, etiketohen si ekstremistë e radikalë. Por ka presion edhe në vendet e Perëndimit, ku ka myslimanë. Njerëzit i etiketojnë këta muslimanë, gratë dhe fëmijët e tyre si njerëz të huaj dhe jo pjesë e atyre vendeve. Edhe në trojet tona ushtrohet presion mbi muslimanët, duke na quajtur si “njerëz që ecin kundër rrymës”.
Sot jetojmë në atë kohë, kur dikush ka frikë, se nëse e marrin vesh se është mysliman, mund ta nxjerrin nga puna, prandaj mundohet ta mbajë të fshehtë besimin e tij. Sot është koha kur dikush ka ndrojtje, nëse dikush e merr vesh se gruaja e tij mban hixhab (shamia e kokës për myslimanet), apo se fëmijët e tij falen në xhami. Sot është koha, kur njerëzit e japin selamin nëpër dhëmbë, nga frika se mos e dëgjojnë njerëzit përreth tij.
Unë sot dua t`i flas vetes time, juve dhe të gjithë atyre që i lexojnë këto rreshta: “Mos kini turp, mos kini frikë. Jini krenarë se jeni myslimanë, se Islami vetëm ua shton krenarinë ndjekësve të tij dhe asnjëherë nuk i poshtëron ata. Jini krenarë por jo mendjemëdhenj, se mendjemadhësia nuk është krenari”.
Jini krenarë që jeni muslimanë, sepse jeni pasues të asaj feje, që Zoti e ka zgjedhur dhe që e do. Kur profeti (a.s) bëri haxhin dhe ditën e Arafatit ishte përpara qindra mijëra haxhinjve, Zoti i zbriti ajetin kuranor: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha për ju Islamin fe”. Disa kohë pasi profeti (a.s) kishte ndërruar jetë, një hebre takoi Omerin (r.a) dhe i tha: “O Omer. Ju kemi zili ju muslimanëve, se keni një ajet në librin tuaj. Po të na kishte zbritur ne ai ajet, do ta kishim bërë festë atë ditë”. Omeri e pyeti: “Për cilin ajet e ke fjalën”. Çifuti i citoi ajetin që përmendëm më lart. Atëherë Omeri (r.a) ia ktheu: “Ne nuk kemi një, por dy ditë feste, se ky ajet ka zbritur ditën e xhuma dhe ne ditën e xhuma e kemi festë për çdo javë. Gjithashtu ky ajet ka zbritur ditën e Arafatit dhe ajo është festë për ne, sepse ajo është dita më e madhe e vitit”. Prandaj i lutemi Zotit ta pranojë Islamin tonë, të jemi të kënaqur për këtë Islam dhe Zoti të jetë i kënaqur me ne.
Vëllezër dhe motra! Jini krenarë që jeni pjesë e kësaj feje, sepse po ndiqni fenë e profetëve të Zotit. Le të thotë dynjaja, se Islami është feja e turqve apo e arabëve. Për Zotin nuk është as e turqve e as e arabëve, por është feja e profetëve të Zotit.
Dëgjojini dëshmitë e tyre dhe do të çuditeni kur të merrni vesh, se ata të gjithë kanë thënë të njëjtën fjalë: “Unë jam musliman”.
Këtë e tha Nuhu (a.s): “Më ka urdhëruar Zoti të jem prej muslimanëve”. Këtë fjalë e ka thënë Ibrahimi (a.s). Kur Jakubit (a.s) po i vinte vdekja, ai i mblodhi fëmijët e tij dhe u tha: “Mos vdisni ndryshe por vetëm duke qenë muslimanë”. Këtë dëshmi e tha Musai (a.s), kur iu drejtua Beni israilëve me fjalët: “…mbështetjuni Zotit, nëse me të vërtetë jeni muslimanë”. Këtë fjalë e tha Isai (a.s). Kur ai e ndjeu se njerëzit e rrethuan dhe nuk e besonin, u tha shokëve të tij: “Kush del dhe më ndihmon në rrugë të Zotit. Ata i thanë: ”Ne të ndihmojmë në rrugën e Zotit, por ti dëshmo se ne jemi muslimanë”.
Islami është feja e të gjithë profetëve të Zotit. Nëse dikush të thotë, se ky vend përpara se të jetë musliman, nuk ka qenë i tillë, thuaji atij se këta njerëz përpara se të kenë qenë të krishterë apo jomuslimanë, kanë qenë muslimanë, se Islam do të thotë ta besosh Zotin me një besim të pastër dhe t`i dorëzohesh totalisht Zotit. Sa për dijeni të gjithë profetët e Zotit kanë qenë besimtarë të një Zoti dhe kanë qenë dorëzuar plotësisht tek Ai. Prandaj të gjitha fetë e tyre mund të quhen Islam dhe të gjithë ata quhen muslimanë.
Jini krenar për këtë fe, e cila e pranon tekstin, por nuk e mohon mendjen. Kjo fe e respekton shpirtin, por nuk e neglizhon trupin. Jini krenar për këtë fe, e cila gjithmonë të kujton ahiretin, por të fton t`i mbash këmbët në dynja dhe të mos e harrosh as atë. Jini krenar për këtë fe, e cila na mëson t`i lutemi Zotit: “O Zot na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit”. Pra e fillojmë lutjen me të mirat e dynjasë, por nuk i harrojmë as të mirat e ahiretit. Kjo është feja jonë, ky është Islami ynë. Ajo është feja e mendjes, e trupit, e shpirtit, feja e dynjasë dhe ahiretit. Betohem në Zot, se ai që ndjek këtë fe, nuk do të humbasë asgjë nga kjo dynja. Çdokush që ndjek këtë fe, do t`i marrë të gjitha të mirat e dynjasë, por përveç saj do të marrë edhe të mirat e ahiretit.
Ju bëj thirrje edhe njëherë të jeni krenarë që jeni pjesë e kësaj feje dhe që quheni muslimanë, se kjo është feja që ia ruan njeriut mendjen, nderin, i ruan familjen dhe atdheun.
Kjo fe e ka ndaluar alkoolin dhe drogën, përpara se bota të shkatërrohet prej tyre. Sot shohim se shkaktari kryesor i çrregullimeve në botë janë pijet alkoolike dhe lëndët narkotike. Këto po shkatërrojnë shumë njerëz, madje ka edhe njerëz të mirë që po shkatërrohen prej tyre. Ndërsa për një musliman nuk është e nevojshme të investohen miliarda, që të ndalet droga e alkooli, sepse ai nuk i konsumon pijet alkoolike, pasi kjo është e ndaluar ne fenë tonë. Ky musliman i ka besuar Zotit, para se t`i besojë ligjit, madje një musliman e ka siklet kur dikush ia nxjerr alkoolin dhe drogën përpara syve. Sikur njerëzit ta ndiqnin këtë fe, këto miliarda do të shpenzoheshin aty ku do të ishte më e dobishme dhe jeta e njerëzve do të përmirësohej.
Islami është ajo fe, që ndaloi imoralitetin dhe tradhtinë bashkëshortore, përpara se të shkatërrohet familja. Sot po shkatërrohen familjet e njerëzve dhe Zoti na ruajt prej këtij shkatërrimi. Po shkatërrohen familjet e atyre që dikur kanë pasur nder dhe kurrë nuk e kanë menduar, se familja e tyre mund të shkatërrohet nga imoraliteti. Por fatkeqësisht sot ka politikanë dhe njerëz me pozitë shumë të lartë, të cilët shkatërrojnë familjet dhe karrierat e tyre, sepse nuk kanë frikë Zotin tek nderi i tyre. Të jeni të sigurt, se ata nuk e bëjnë këtë gjë nga injoranca, por vetëm për faktin se zemrat e tyre janë të boshatisura nga besimi dhe turpi. Prandaj profeti (a.s) thoshte: “Kur nuk ke turp, bëj çfarë të duash”. Njerëzit që bëjnë tradhti bashkëshortore, ruhen gjatë gjithë kohës, se të mos i shohin kamerat. Ndërsa një musliman përpara se të ketë frikë se mos e shohin kamerat apo gruaja e tij, ka frikë Zotin e gjithësisë, i Cili është me të në çdo vend. Ai njeri që kapet pas kësaj feje, për Zotin hidhe ku të duash, se me lejen e Zotit do të jetë i sinqertë dhe i ndershëm, pasi ai ka frikë Zotin dhe Allahu do ta ruajë këtë njeri.
Islami është ajo fe, e cila e vlerësoi familjen si pasurinë më të madhe. Prandaj një musliman nuk toleron tek familja e tij, pasi profeti (a.s) tha: “Unë jam më i miri se të gjithë për familjen time, prandaj edhe ju duhet të jeni të mirë për familjet tuaja”. Prandaj sot njeriu që ka familje, le ta dijë se ka një pasuri që nuk matet me miliarda, ndërsa njeriu që nuk ka familjen, ta dijë se është fukarai më i madh.
Kjo fe e vlerësoi nderin e njeriut si vlerën më të shenjtë. Nëse njeriu ka nder, është gjithmonë me ballin lart, por nëse humb nderin, nuk i vlen edhe nëse ka gjithë dynjanë në dorë, sepse ai ka turp të dalë përpara njerëzve, madje ka turp dhe nga vetja e tij.
Kjo fe i vlerësoi fëmijët si dhuratë dhe si amanet prej Zotit. Prandaj një mysliman e vlerëson fëmijën. Fëmija nuk është prona jote e as pasuria jote. Ai është dhuratë prej Zotit të gjithësisë dhe është amanet, për të cilin do të pyetesh përpara Zotit.
Kjo fe i jep status çdo lloj njeriu, sado i varfër qoftë ai. Për Zotin ka disa njerëz, që askush nuk i njeh, por kur këta hyjnë në këtë fe, ndihen se janë prezent, janë të gjallë, janë dikushi. Një prej këtyre njerëzve ishte Bilali (r.a). Ai ishte skllav dhe askush nuk e llogariste atë për njeri. Ai luftonte për një kafshatë bukë. Por ditën që u bë mysliman, ai sakrifikoi çdo gjë që kishte, se e pa që kjo ka vlerë të madhe tek Zoti, edhe pse ndoshta nuk ka vlerë tek njerëzit.
Një xhaminë e profetit (a.s) ishte një grua me ngjyrë, e cila pastronte xhaminë. Ajo quhej Umu Mihxhen. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk e njihnin atë. Kur vdiq ajo, profeti (a.s) nuk u njoftua. Mirëpo vetë profeti (a.s) kur nuk e pa më, pyeti: “Ku është ajo grua që pastronte xhaminë”? I thanë: “Ka ndërruar jetë para disa ditësh o profet i Zotit”. Profeti (a.s) tha: “A nuk ju vjen zor që s`më keni treguar”. Njerëzit i thanë: “Me siguri ti ke qenë i zënë me punë më të mëdha (duke nënkuptuar se ky njeri nuk mund të kishte aq rëndësi, sa të njoftohej profeti a.s)”. Profeti (a.s) tha: “Më tregoni ku është varri i saj, se dua të shkoj dhe t`ia fal xhenazen tek varri”. Pasi i fali xhenazen, të gjithë sahabët kishin dëshirë të kishin qenë në vend të asaj gruaje e vetë profeti (a.s) t`ua falte xhenazen. Profeti (a.s) e dinte, se para Zotit nuk ka njerëz të thjeshtë e njerëz të mëdhenj, por vetëm njerëz të devotshëm dhe njerëz të tjerë. Kush i përket kësaj feje dhe është i sinqertë, është i madh tek Zoti i gjithësisë.
Xhulejbibi (r.a) ka qenë njeri shumë i thjeshtë. Ai nuk kishte as para, as rrobë e as shtëpi. NJëherë ai shkoi tek profeti (a.s), i cili i buzëqeshi, sepse ishte mjeku i zemrave. Pastaj profeti (a.s) in tha: “O Xhulejbib! A ke dëshirë të martohesh”? Ai qeshi dhe i tha: “O profet i Zotit, a po tallesh me mua? E kush ma jep mua vajzën për nuse?! Unë nuk kam as dirhem, as shtëpi e as rroba. Si mund të martohem unë, duke qenë në këtë gjendje”? Atëherë profeti (a.s) ia ktheu: “O Xhulejbib! Shko tek filan shtëpi, trokit në derë dhe thuaju atyre: “Profeti (a.s) më ka sjellë këtu, që të më jepni nuse”. Xhulejbibi e ndoqi këshillën e profetit (a.s) dhe shkoi e trokiti në derën e një prej fisnikëve të muslimanëve. Pasi iu hap dera, Xhulejbibi tha: “Unë jam Xhulejbibi! Më ka dërguar profeti (a.s), që të më jepni vajzën tuaj për nuse”. Burri që i hapi derën, u fut brenda dhe i tha bashkëshortes së tij: “Xhulejbibi kërkon dorën e vajzës sonë”. Ajo tha: “Ah sikur të ishte dikush tjetër veç tij, sepse ai nuk ka asgjë”. Por vajza e tyre e dëgjoi këtë fjalë dhe u tha prindërve të saj: “A po e ktheni mbrapsht kërkesën e profetit (a.s)? Përgjigjuni atij”. Ajo nuk e njihte Xhulejbibin. Edhe ajo do të kishte dashur ta kishte burrin pasanik, me famë e me status, por kur dëgjoi se ai ka ardhur me fjalën e profetit (a.s), pranoi të martohet me të. Thonë që bënë një jetë shumë fisnike e të thjeshtë. Xhulejbibi ra dëshmor në një nga betejat e muslimanëve. Profeti (a.s) i pyeti shokët e tij: “Kush ka vdekur”. Ata i thanë disa emra, por profeti ua ktheu: “A nuk e shikoni se mungojnë edhe disa të tjerë”. Ata i thanë se nuk mbanin mend njeri tjetër. Atëherë profeti (a.s) tha: “Unë nuk po shikoj Xhulejbibin. Ejani ta kërkojmë atë, se me siguri ka rënë dëshmor”. Pastaj profeti (a.s) e kërkoi Xhulejbibin dhe e gjeti të rrethuar nga 7 armiq. Ai i kishte vrarë të gjithë ata, pastaj kishte ndërruar jetë nga plagët e marra. Profeti (a.s) u ul, e puthi në ballë, e mori në krah me duart e tij dhe tha: “O Xhulejbib! Ti je pjesë e trupit tim e unë jam pjesë e jotja”. Pastaj e futi në varr me duart e tij dhe atë ditë të gjithë sahabët thanë: “Ah sikur të kishim qenë ne në vend të Xhulejbibit”. Ky ishte Xhulejbibi, njeri shumë i thjeshtë, ndoshta pa famë e karrierë, por ai kishte vlerë të madhe tek Zoti dhe tek profeti (a.s).
Omeri (r.a) ka qenë nga ata njerëz që ka jetuar në xhalihije (në periudhën paraislame), ka jetuar edhe në Islam. Ai ka thënë një fjalë të madhe: “O njerëz! Ne ishim të humbur e të poshtëruar, por Zoti na bëri krenarë me këtë Islam. Sa herë që do ta kërkoni krenarinë jashtë Islamit, dijeni se do t`ju poshtërojë Zoti”. Në realitet ashtu ka ndodhur. Kur muslimanët kanë qenë krenarë me këtë fe, Zoti ju ka dhënë status e famë. Por kur ata e kanë kërkuar krenarinë jashtë kësaj feje, Zoti i ka poshtëruar, ashtu siç po i shohim muslimanët edhe sot e kësaj dite.
Kam një thirrje për të gjithë muslimanët në këtë vend: “O muslimanë! Mos rrini në këtë fe nga zori, se Zoti nuk ka nevojë për këtë. Mos rrini në këtë fe nga turpi, se tek Zoti nuk ka vend për turp. Lexoni për këtë fe dhe mësojeni atë. Po ju pëlqeu, ndiqeni dhe po s`ju pëlqeu, atëherë ju them pa hezitim IKNI, se Zoti nuk ka nevojë për dikë që rri në fenë islame për hipokrizi, për interes apo nga frika. Jini krenar me këtë fe, se për Zotin, nëse do të jemi krenarë me Islam, do të na japë Zoti krenari dhe do të jemi faqebardhë në këtë botë dhe në botën tjetër”.
Një apel tjetër e kam për të gjithë ata të ashtuquajtur politikanë e analistë, të cilët përpiqen përditë që ta fshijnë Islamin dhe muslimanët nga harta e shqiptarëve, që t`i bëjnë këta njerëz të mendojnë se kanë qenë dikur, por sot janë ndryshe. Le ta dinë këta politikanë e analistë, se po bëhen si struci, i cili fut kokën në rërë, duke harruar se trupin e ka jashtë. Ne e dimë dhe gjithë bota e di, se shqiptarët kanë tre fe. Ka katolikë, ortodoksë dhe muslimanë, por këta të fundit janë më të shumtë, pra shumica e këtij populli janë muslimanë. Kush mohon Islamin, ai mohon shqiptarinë, prandaj askush nuk e fsheh dot realitetin. Nëse keni ndërmend ta fshini këtë fe nga faqja e dheut, atëherë unë po ju them, se jeni si ata që mundohen të fikin dritën e diellit me frymën e tyre, por do të lodheni kot, sepse drita e diellit nuk do të fiket asnjëherë. Kjo është feja e Zotit, është drita e Zotit. Sa herë që dikush mundohet ta fikë dritën e Zotit, Ai do ta bëjë këtë fe të triumfojë dhe ka garantuar për këtë.
Komandanti i ushtrisë perse, e cila ishte superfuqi e asaj kohe, quhej Rustum dhe kishte nën komandën e tij 280 mijë ushtarë, të cilët i bindeshin fjalës së tij. Në një komunikim me komandantin e ushtrisë muslimane Sad Ibn Ebi Uekkas (r.a), Rustum i kërkoi që t`i sillnin një ushtar të thjeshtë, që të dialogonte me të. Sadi zgjodhi një njeri shumë të thjeshtë, që ndoshta nuk njihej nga njerëzit deri në atë kohë. Emri i tij ishte Rib`ij Ibn Amir. Po ta shihje në pamje të jashtme, nuk të bënte përshtypje. Nga rrobat e tij e kuptoje, se ai nuk ishte njeri me status të lartë shoqëror. Sadi (r.a) ia tha Rib`ij Ibn Amir-it: “Do të shkosh të flasësh me Rustumin, prandaj mos filozofo, por thuaj atë që të thotë zemra”. Kur Rustum mori vesh se po vjen i dërguari i ushtrisë muslimane, dha urdhër që të gjithë gjeneralët të vishnin rrobat e tyre ushtarake dhe të mbanin qëndrim gatitu. Agjë nuk pipëtinte. Ai deshi t`i tregonte këtij beduini arab, se kush ishin persët dhe në të njëjtën kohë deshi t`i tregonte atij, se epërsia e persëve ndaj muslimanëve ishte shumë e madhe. Kur Rib`ij Ibn Amir hyri tek Rustumi, ai po tërhiqte kalin për freri, ndërsa në dorën tjetër mbante heshtën. Ai eci serbes – serbes mbi qilimat e Rustumit, duke i shpuar ata me heshtën e tij. Me këtë veprim ai deshi t`i thoshte komandantit suprem pers: “Mua nuk më bëjnë përshtypje këto gjëra”. Pasi doli para Rustumit, ky i fundit i tha: “O njeri! Persët kanë civilizim, romakët kanë civilizim, indianët kanë civilizim! Po ju që keni ruajtur vetëm deve, dele e dhi, ju që gjithmonë keni vuajtur për kafshatën e bukës, si guxoni të vini e të luftoni kundër nesh”. Rib`ij ia ktheu: “Ke të drejtë në këto që thua, madje ka më shumë se kaq. Ne jemi nga ata që vrisnim shoku – shokun, vetëm se deveja ime pinte ujë më shumë se deveja e tjetrit. Ne jemi ata që ziheshim dhe vriteshim për gjëra qesharake. Por mësoje këtë gjë: Ne jemi nga ata njerëz, që Zoti na ka dërguar për t`i nxjerrë njerëzit nga adhurimi i njeriut, tek adhurimi i Allahut (xh.sh), Zotit të njeriut. Jemi dërguar për t`i nxjerrë njerëzit nga padrejtësitë e feve, në drejtësinë e Islamit. Ne jemi dërguar për t`i nxjerrë njerëzit nga ngushtësia e kësaj dynaje, drejt hapësirave të kësaj bote dhe të ahiretit”. Kur dëgjoi këto fjalë, Rustum u çudit pa masë, sesi një ushtar i thjeshtë arriti të dridhë fronin e komandantit të një ushtrie gjigande. Kështu ishin këta njerëz. Ishin të thjeshtë, por shumë krenarë për fenë e tyre, prandaj Zoti i ngriti në këtë botë para miqve të tyre dhe përpara armiqve të tyre dhe me siguri do t`i lartësojë edhe në botën tjetër.
Krenohuni më këtë fe, se për Zotin nuk jeni nga ata që vidhni e që bëni korrupsion. Le të shikojnë kamerat e spiunët le të rrinë rresht pas jush. Ju keni frikë Zotin dhe çdo gjë që bëni apo çdo gjëje që i largoheni, e bëni këtë vetëm për Zotin dhe nuk rrini me frikë se mos ju dalin të palarat. Ju nuk i tradhtoni familjet tuaja, sepse jeni besnikë në radhë të parë përpara Zotit e pastaj përpara familjeve tuaja. Sot ka shumë njerëz që kanë frikë shokun e tyre, i cili i di të palarat e tyre dhe mundohen ta mbajë me të mira, që ai të mos i bëjë publike gabimet e tyre dhe ju betohem në Zot se ia kanë frikën njëri – tjetrit. Ndërsa ju muslimanë jini krenarë, se jeni njerëz që urdhëroni vetëm për mirë dhe ndaloni nga e keqja. Muslimanët i duan familjet e tyre dhe atdheun e tyre. Sikur ta dinte bota se çfarë ka në zemrat e muslimanëve, do të na kishin zili, se në zemrat tona ka vetëm dashuri për njerëzit, ose thënë më shkurt “Dashuri për të mirën dhe ndalim nga e keqja”.
Prandaj jini krenarë për këtë fe, falenderoni Zotin që ju ka bërë pjesë të kësaj feje, se në këtë fe nuk hyn kush as me zor, as me imponim, por hyn vetëm ai që i përgjigjet ftesës së Zotit. Por e rëndësishme është, se më shumë se krenari me fjalë, duhet të jemi krenarë me veprat tona.
Zoti na bëftë krenarë me këtë fe dhe na bëftë shkak për lartësimin e kësaj feje. Zoti na ndihmoftë që ta jetojmë jetën me nder e sinqeritet si muslimanë, shpirtin ta dorëzojmë duke thënë shehadetin dhe të ringjallemi nën flamurin e profetit (a.s).
A M I N