Krenaria e sahahabijut të nderuar, Rib’ij ibn Amër Et Temimit (r.a)

Rib’ij ibn Amër Et Temim

Historia e sahabijut të nderuar, Rib’ij ibn Amër Et-Temimit (r.a) me komandantin e ushtrisë perse në betejën e Kadisijes, është një histori frymëzuese që meriton shumë vëmendje dhe studim. Ai u ofrua vullnetarisht të kryente vetë detyrën e negociatave me persët, në kundërshtim me propozimin e Sa’d ibn Ebi Vekasit (r.a), i cili ishte i mendimit për të dërguar një delegacion te komandanti i ushtrisë perse, Rustemi. Rib’ij ibn Amër (r.a) mendoi se dërgimi i një delegacioni mund të krijonte përshtypjen te persët se muslimanët kishin frikë. Sakaq, dërgimi i vetëm një personi do të kishte një ndikim negativ te ata, duke mbjellë dobësi në rradhët e tyre dhe do të ishte si një lloj lufte psikologjike përpara përballjes në fushën e betejës. Dhe në fakt, ndodhi ashtu siç kishte planifikuar sahabiju i nderuar, i cili ishte një nga krerët e popullit të tij.

Rib’ij ibn Amër (r.a) hyri në çadrën e Rustemit, e cila ishte e zbukuruar me ar, tapete dhe kurora, sipas zakonit të mbretërve persianë për të treguar madhështinë dhe fuqinë e tyre përmes gjërave materiale dhe luksit të tepërt. Por Rib’ij nuk ua vuri veshin fare këtyre gjërave; ai hyri i armatosur deri në dhëmbë, edhe pse rojet e ndaluan dhe nuk e lejuan të hyjë me armë. Ai u tha atyre: “Ju më keni ftuar, nëse më lejoni të hyj kështu, mirë, përndryshe do të kthehem.” Rojet – të detyruar – e lejuan atë të hynte në çadër ashtu siç ishte.

Rib’ij ibn Amër (r.a) hyri me rroba të thjeshta, me shpatë e mburojë, dhe qëndroi përballë Rustemit, i cili i tha: “Çfarë ju solli këtu?” Rib’ij, me besim të palëkundur, me vizion të qartë dhe krenari për fenë dhe identitetin e tij, u përgjigj: “Allahu na ka dërguar që të nxjerrim kë të dojë Ai nga adhurimi i njerëzve në adhurimin e Allahut, nga ngushtësia e kësaj bote në gjerësinë e saj, dhe nga padrejtësia e feve në drejtësinë e Islamit. Na dërgoi me fenë e Tij te krijesat e Tij që t’i ftojmë tek Ai. Kush e pranon këtë, e pranojmë dhe largohemi prej tij, por kush refuzon, do ta luftojmë përherë derisa të arrijmë tek premtimi i Allahut.” Rustemi tha: “Cili është premtimi i Allahut?” Rib’ij u përgjigj: “Xheneti për ata që vdesin duke luftuar ata që refuzojnë të Vërtetën, dhe fitorja për ata që mbeten gjallë.” Rustemi i tha: “Ju dëgjova dhe a jeni ju të gatshëm ta shtyni këtë çështje derisa ta shqyrtojmë edhe ne edhe ju?” Rib’ij tha: “Po, sa kohë dëshironi? Një ditë apo dy?” Rustemi tha: “Jo, por derisa të këshillohemi me njerëzit tanë dhe krerët e popullit.” Rib’ij i tha: “Pejgamberi ynë (a.s) na ka mësuar që t’u japim afat armiqve vetëm tre ditë, ndaj shqyrtoje çështjen tënde dhe çështjen e tyre, dhe zgjidh njërën prej tre opsioneve pas këtij afati!.”Rustemi e pyeti: “A je ti udhëheqësi i tyre?” Rib’ij tha: “Jo, por muslimanët janë si një trup i vetëm; edhe më i ulëti prej tyre mund të japë një premtim që më i larti duhet ta përmbushë.”

Takimi përfundoi kështu. Më pas Rustemi u mblodh me krerët e popullit të tij dhe tha: “A keni parë ndonjëherë ndonjë njeri më fisnik dhe më të mençur se ky burrë?” Ata ndjenë se Rustemi po anonte drejt fjalëve të Rib’ijut dhe kishin frikë se mos ai e linte fenë e tij dhe hynte në Islam. Ata i thanë: “A nuk i sheh rrobat e tij?” Rustemi u përgjigj: “Mjerë ju! Mos shikoni rrobat, por mendimin, fjalët dhe sjelljen. Arabët nuk i kushtojnë rëndësi rrobave dhe ushqimit, por ruajnë nderin dhe fisnikërinë.”

Identiteti i Rib’ij ibn Amër (r.a)

Mesazhi i kësaj historie është se Rib’ij ibn Amër (r.a), në praninë e komandantit të ushtrisë së fuqishme persiane, hyri para tij me personalitetin e një muslimani krenar për fenë e tij, dhe jo me statusin e një fisniku arab nga fisi Temim, i cili vinte nga një prejardhje e nderuar. Ai hyri me rroba të thjeshta dhe foli ashtu siç e kishte mësuar nga i Dërguari i Allahut (a.s) që të ftojë të tjerët në Islam me urtësi dhe këshilla të mira, me një ndjenjë krenarie, krenari që buronte nga nënshtrimi ndaj Allahut e jo ndaj ndonjë zoti tjetër apo idhulli.

Rib’ij ibn Amër (r.a) hyri tek Rustemi me krenarinë e identitetit të tij si musliman. Një krenari e fituar nga një kuptim i saktë dhe i thellë i fesë së tij, që pohon se askush nuk e meriton adhurimin dhe nënshtrimin në këtë jetë, përveç Allahut të Vetëm. Ai nuk i nënshtrohej asnjë idhulli, asnjë zjarri, asnjë prifti, xhindi apo engjëlli apo ndonjë tjetri. Me këtë shpirt krenar dhe këtë identitet të qartë dhe fisnik, ai u përball me Rustemin, i cili ishte i lëkundur brenda tij, i nënshtruar ndaj një zjarri që as nuk bën dëm as nuk sjell dobi, prandaj nuk meritonte respekt dhe nuk kishte asgjë që të ngjallte frikë apo tmerr.

Rustemi ishte rob i një idhulli, egos ose diçkaje tjetër, pa identitet dhe pa besim të vërtetë. Ajo që bëri Rib’ij ishte minimumi i asaj që mund të bëhej me dikë si Rustemi dhe të tjerët që adhuronin idhuj, qoftë zjarre, gurë apo drurë. Këto kombe dhe qytetërime përfunduan, sepse krijuan idhuj të cilëve u faleshin dhe kërkonin afërsi, duke lënë pas dore Allahun, dhe për këtë arsye merituan poshtërimin përpara se të përjetonin humbjen dhe zhdukjen.

Idhujt e rinj

Idhujtaria nuk është vetëm në xhunglat e Amazonës, në malet e Tibetit apo pyjet e Afrikës, por ajo mund të gjendet edhe në pallatet më të shkëlqyera, në zyrat më luksoze dhe në vendet më të pasura, mes njerëzve më të ditur dhe të njohur. Idhujtaria mund të ekzistojë në shpirtin e ndjekësve të judaizmit, krishterimit, budizmit dhe të tjerëve, madje mund ta gjejmë edhe te muslimanët, pasi nuk ka asnjë pengesë për këtë, e ndoshta kemi parë më shumë nga sa mund të mendojmë, me vetëdije ose jo!

Shiko rreth teje tani dhe medito pak, kthehu pas me kujtime ose vëzhgoje të tashmen tënde. Do të gjesh shumë idhuj përreth, madje ndoshta edhe thellë në shpirtin tënd ose në nënvetëdijen tënde, pa e kuptuar, ndërkohë që mund ta konsiderosh veten të devotshëm dhe besimtar të pastër! Sot, ne kemi krijuar idhuj përreth nesh që i shenjtërojmë, edhe pse mund të mos i adhurojmë. Idhuj në formën e ideve, doktrinave, njerëzve, librave, sendeve, koncepteve, sloganeve ose të tjera elemente të jetës.

Para Islamit kishte shumë idhuj. Dikush i nënshtrohej një idhulli, tjetri një peme, i treti një ylli, i katërti një mbreti, dhe kështu me radhë, derisa erdhi Islami dhe i çliroi njerëzit. E pamë Rib’ij ibn Amir (r.a) në praninë e burrave më të fuqishëm të asaj kohe, që nuk ia vuri veshin fare luksit dhe salltaneteve të persëve. Por përse? Sepse ai ishte krenar për fenë e tij dhe identitetin e tij musliman, ndaj hyri me krenari dhe me respekt të imponuar.

Ky është identiteti që kolonializmi i lig ka luajtur një rol të madh në fshirjen e tij nga jeta e muslimanëve dhe e këtij umeti, pak nga pak. Ata filluan duke goditur kalifatin, edhe pse ai ishte jashtëzakonisht i dobët një shekull më parë, por ai ishte pika ku bashkoheshin të gjithë bijtë e këtij umeti, prandaj u zhduk nga fjalori i muslimanëve. Më pas, u promovua idhulli i identitetit kombëtar, ku arabët u krenuan me kombësinë e tyre, po ashtu turqit, persët, indianët, afrikano-amerikanët dhe të tjerë muslimanë, duke çuar më tej ndarjen e muslimanëve pas copëtimit dhe shpërndarjes së tyre, kur kalifati u zhduk nga faqja e dheut. Pastaj erdhi idhulli i identitetit kombëtar, ku secili komb u krenua me kufijtë e tij të rremë gjeografikë! Dhe nuk përfundoi gjithçka me kaq, por situata vazhdoi të përkeqsohej më thellë, ku një fis mburrej ndaj një tjetri, një familje ndaj një tjetre, sikur të ishim kthyer mbrapa në kohë, në kohën e injorancës para shpalljes së profetësisë.

Kush e respekton muslimanin sot?

A mendon se pas gjithë kësaj, do gjendet dikush që të respektojë muslimanin sot?

Ne ishim shumë pranë fundit, në pjesën më të ulët të karvanit të popujve, ku askush nuk e vret mendjen për gjendjen tonë, përveç Allahut dhe asaj që po ndodh dhe vazhdon të ndodhë në Gaza. Po, Gaza e krenarisë, është ajo që e ndaloi këtë rënie dhe e detyroi gjithë botën jo vetëm të shohë gjendjen tonë, por të vëzhgojë se çfarë po ndodh në këtë botë kaotike, të shohë burimin e kaosit dhe krimit, dhe në të njëjtën kohë të pyesë veten për sekretin e qëndrueshmërisë dhe guximit të popullit të Gazës, të luftëtarëve dhe mbështetësve popullorë, dhe arsyen e rënies sonë të turpshme, edhe pse dikur kemi pasur një njeri si Rib’ij ibn Amër (r.a), i cili mburrej me identitetin e tij islam dhe detyronte njerëzit më të fuqishëm të popujve të asaj kohe të pranonin kërkesat e tij, e më pas të humbnin pas disa ditësh dhe mbretëria e tyre të shembej përgjithmonë.

Bota pa se problemi qëndron tek ne si popuj dhe individë pa vullnet, dhe jo te feja jonë. Ne jemi ata që kemi krijuar idhuj përveç Allahut, ndaj u nënshtruam, i ndjekim, u përulemi dhe i duam. Dhe si shpërblim, morëm gjendjen tonë para se të ndodhte ajo që ndodhi me xhaminë Aksa, që do të jetë pikënisja ose ngritja e re, me lejen e Allahut, nëse idhujtaria nuk egërsohet më tej brenda nesh, nëse vazhdojmë bashkëpunimin me Perëndimn e egër – që është i shembur qysh në thelb – dhe të ndikohemi nga ideologjia e tij shkatërrimtare.

Këto janë disa reflektime që më erdhën ndërmend teksa lexova historinë e sahabijut të nderuar, Rib’ij ibn Amër (r.a) me Rustemin, komandantin e ushtrisë perse. Nëpërmjet këtij artikulli shpresoj që secili prej nesh të fillojë së pari me shkatërrimin e idhujve të tij, përpara idhujve të të tjerëve dhe para dhjetëra idhujve shoqërorë, krahinorë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Shkatërrimi i këtyre idhujve është hapi i parë drejt një ngritjeje të re, me lejen e Allahut, dhe kjo nuk është diçka e vështirë për Allahun.

Autor: Abdulla El Amadi

Përktheu: Elton Harxhi