Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi si një provokim të rrezikshëm “sulmet kundrejt centralit bërthamor Zaporizhzhia”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për gazetarët në Moskë, Peskov foli mbi sulmet e kryera dje me mjete ajrore pa pilot (dronë) ndaj centralit bërthamor Zaporizhzhia.
“Punonjësit e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) janë dëshmitarë të sulmeve në fjalë”, theksoi Peskov, i cili shtoi se sulmet janë një nxitje e rrezikshme.
“Kjo është një taktikë shumë e rrezikshme me pasoja shumë të këqija në afat të gjatë. Fatkeqësisht regjimi i Kievit vazhdon aktivitetet e tij terroriste”, tha Peskov, duke akuzuar Ukrainën lidhur me sulmet.
Në një deklaratë të bërë dje nga Korporata shtetërore e energjisë bërthamore të Rusisë (Rosatom), u njoftua se 3 persona u plagosën si pasojë e sulmeve intensive të kryera ndaj centralit bërthamor Zaporizhzhia.
– Centrali më i madh bërthamor në Evropë
Centrali bërthamor Zaporizhzhia që ndodhet në juglindje të Ukrainës llogaritet si centrali më i madh bërthamor në Evropë.
Më 4 mars 2022 centrali u mor nën kontroll nga rusët. Përreth centralit, i cili aktualisht është nën kontrollin e ushtrisë ruse, ndodhin sulme artilerie dhe të dronëve. Ukraina dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën lidhur me këto sulme.