Kremlini: Rusia dhe SHBA-ja duan të përparojnë drejt një zgjidhjeje të krizës në Ukrainë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia dhe SHBA-ja duan të përparojnë drejt një zgjidhjeje të krizës në Ukrainë, duke shtuar se ka qasje të përbashkët për këtë çështje, transmeton Anadolu.

Peskov iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në kryeqytetin Moskë lidhur me çështjet në rendin e ditës.

Duke vënë në dukje se negociatat mes Rusisë dhe SHBA-së kanë filluar në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, Peskov theksoi se në agjendën e negociatave përfshihet iniciativa për sigurinë e anijeve në Detin e Zi.

“Rusia dhe SHBA-ja duan të ecin drejt një zgjidhjeje të krizës në Ukrainë. Ka qasje të përbashkët për këtë çështje, por duhet bërë shumë punë në çështjet teknike”, tha Peskov.

Ushtria ruse ka zbatuar urdhrin e presidentit Vladimir Putin për të mos sulmuar burimet energjetike të Ukrainës, theksoi Peskov.

“Ne po e ndjekim situatën me kujdes. Edhe kolegët tanë amerikanë kanë mundësinë ta ndjekin dhe analizojnë këtë”, tha zëdhënësi i Kremlinit.