Kremlini: Nuk ka sinjale nga Evropa për rivendosjen e dialogut

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka bërë të ditur se Evropa nuk ka bërë asnjë lëvizje për të filluar dialogun me presidentin rus, Vladimir Putin, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media në Moskë, Peskov tha se “deri më tani nuk ka pasur sinjale”.

Presidenti finlandez, Alexander Stubb, u tha dje gazetarëve se “koalicioni i vullnetarëve” për Ukrainën ra dakord që të paktën një lider evropian duhet të angazhohet në dialog me presidentin Putin.

Koalicioni jozyrtar ka premtuar mbështetje për Ukrainën në mes të luftës së vazhdueshme mes Moskës dhe Kievit dhe ka diskutuar për një forcë të mundshme paqeruajtëse, që përfshin më shumë se 30 vende, kryesisht nga Evropa, por edhe nga vende si Japonia, Türkiye dhe Kanadaja.

“Preferenca ime personale do të ishte që përfaqësuesit tanë të koalicionit të vullnetarëve ta bënin këtë. Me fjalë të tjera, Franca ose Mbretëria e Bashkuar”, tha Stubb.

Më herët, ai ka thënë se vendet evropiane filluan të diskutojnë mundësinë e rifillimit të dialogut me Rusinë gjatë një samiti të koalicionit të mbajtur në Paris javën e kaluar.

Megjithatë, presidenti finlandez theksoi se çdo angazhim i ardhshëm do të kërkonte një koordinim dhe nuk dha një datë specifike për bisedimet e mundshme.