Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kremlini: Nuk janë planifikuar kontakte për marrëveshjen e Ukrainës në fillim të...

Kremlini: Nuk janë planifikuar kontakte për marrëveshjen e Ukrainës në fillim të janarit

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka bërë të ditur se presidenti Vladimir Putin nuk ka plane të menjëhershme për t’u përfshirë në diskutime në lidhje me marrëveshjen e krizës ukrainase në fillim të janarit, transmeton Anadolu.

I pyetur në një konferencë për media në Moskë nëse është duke u zhvilluar ndonjë përgatitje për kontakte për marrëveshjen e Ukrainës, Peskov u përgjigj: “Jo, nuk ka plane. As i pari, as i dyti, as i treti i janarit”.

“Gjëja më e rëndësishme është të hedhim hapat e parë drejt paqes. Kjo rrugë nuk është hapur ende për shkak të pozicionit të regjimit të Kievit”, theksoi ai.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të këshilltarit amerikan për sigurinë, John Kirby, se avioni i Azerbajxhanit mund të jetë rrëzuar nga një raketë kundërajrore ruse, Peskov tha se, “Ne i kemi parë këto deklarata. Është e papërshtatshme që administrata presidenciale të komentojë për këtë”.

Peskov tha se Dmitry Yadrov, kreu i Agjencisë Federale të Transportit Ajror, tashmë ka përshkruar qëndrimin e Moskës, duke shtuar se Rusia do t’i ofrojë ndihmë të plotë Kazakistanit dhe Azerbajxhanit në hetimet e tyre për rrethanat dhe shkaqet e rrëzimit të avionit.

“Kjo gatishmëri e Rusisë është deklaruar. Ne jemi në pritje të rezultatit të hetimit”, shtoi ai.

Të mërkurën, avioni i ‘Azerbaijani Airlines’ nga Baku në Grozny u rrëzua pranë qytetit Aktau në Kazakistan, duke marrë jetën e 38 personave, ndërsa 29 të tjerë mbijetuan nga gjithsej 67 njerëz në bord.

Derisa Azerbajxhani dhe Kazakistani nisën hetimet, zyrtarët azerbajxhanas ia atribuuan rrëzimin e aeroplanit një sistemi raketor rus.

Përplasja ndodhi mes aktivitetit të mbrojtjes ajrore ruse kundër dronëve ukrainasë.

Autoritetet e të gjitha vendeve të interesuara kërkojnë që të priten gjetjet zyrtare përpara se të nxjerrin përfundime.

Exit mobile version