Ballina Lajmet Kosovë Krasniqi transferohet në Hagë

Krasniqi transferohet në Hagë

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, kanë dhënë detaje rreth bastisjes dhe arrestimit të ish-zëdhënësit të UCK-së, Jakup Krasniqi.

Përmes një komunikate për media Gjykata Speciale ka bërë të ditur se Krasniqi tashmë është transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në komunikatë thuhet se arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Kjo është komunikata e plotë:

JAKUP KRASNIQI ARRESTOHET DHE TRANSFEROHET NË OBJEKTIN E PARABURGIMIT TË DHSK-SË NË HAGË

Jakup Krasniqi u arrestua sot në Kosovë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (“DHSK”), në Hagë.

Arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (“ZPS”) në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në kryerjen e arrestimit, ZPS-ja pati mbështetjen operative dhe logjistike të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në.

Në kohën e duhur do të jepet informacion i mëtejshëm duke përfshirë informacion mbi publikimin e aktakuzës me redaktimet e nevojshme. Në pajtim me rregullën 88 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit.

Exit mobile version