Krasniqi për letrën e Thaçit drejtuar Trump: Presidenti ka bërë shkelje kushtetuese
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka komentuar letrën që presidenti i vendit, Hashim Thaçi ia ka kthyer presidentit amerikan, Donald Trump.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese.
Kjo ngase sipas tij ai parprakisht ka ofruar një marrëveshje me Serbinë.
Ky është postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:
GATISHMËRINË PËR KOMPROMIS SI TA QUAJMË?
Çfarëdo thirrje për marrëveshje e cila do t’i normalizonte marrëdhëniet në mes Kosovës e Serbisë, qoftë edhe thirrja për ndonjë formë tjetër për normalizimin e marrëdhënieve, e saktësoj – për normalizimin e marrëdhënieve, do të mund të konsiderohej si normale. Është normale edhe atëherë kur zyrtarët e lartë të shtetit shfaqin vullnete të mira për normalizim marrëdhëniesh, e sidomos kur ai normalizim hapë perspektiva jo vetëm për qytetarët e dy vendeve (Kosovë – Serbi), por edhe për krijimin e raporteve të reja në Ballkanin Perëndimor, nuk mund të bëhen me vullnetin e mirë vetëm të palës së Kosovës. Por ama normalizim pa sakrifikuar asnjëra palë nga popujt e këtij rajoni. Madje, shqiptarët kanë sakrifikuar shumë, kanë bërë shumë kompromise dhe të rejat nuk duhet t’ju kërkohen nga askush jashtë saj. Ndërsa kompromisin për zvogëlim hapësinor, askush nga shqiptarët nuk duhet guxuar që ta mendoj e jo më ta ofroj. E kushdo që guxon ta ofroj, mbi te duhet të bien të gjitha mëritë e historisë, të gjitha mëritë e dhimbjeve që kombit tonë ia kanë shkaktuar padrejtësitë e vjetra e të reja të historisë së dhimbshme shumëshekullore!
Gjithashtu i pari qytetarë i vendit tonë (pozitë të fituar më shumë pazare e në rrethana jo normale), ka të drejtë kushtetuese të kërkoi nga Presidenti i SHBA-së që t’i ndihmoj Kosovës e Serbisë në normalizimin e marrëdhënieve në mes këtyre vendeve, por nuk ka të drejtë të ofroi paraprakisht kompromis për normalizimin e marrëdhënieve. Ofrimi i kompromisit paraprakisht nuk është e drejtë kushtetuese, përkundrazi është shkelje e rendë e kushtetutës, pasi është thirrje për cenimin e territorit dhe të sovranitetit të shtetit. Madje, kjo thirrje po vjen pasi një viti të zhurmshëm e më plotë patriotizëm në jetën politike e mediatike për bashkimin e Kosovës Lindore (Preshevës, Bujanocit e Medvegjës) me Kosovën. Pas gjithë atij debati që është zhvilluar në gjithë hapësirën kombëtare shqiptare për korrigjimin e kufirit në dobi të Kosovës, premtimi i tashme që i bëhet Presidentit të SHBA-së e sidomos gatishmëria për kompromis është tregues i sigurt se i pari i shtetit tonë ka probleme serioze politike e intelektuale! Ai po tregohet i gatshëm për të bërë kompromisin e radhës dhe më të madhin e më dëmshmin e deritashëm. Kjo për njeriun me aftësi mesatare është e pa akceptueshme.
Është e qartë, gatishmëria për kompromis nuk donë të thotë: bashkim i tri komunave të Kosovës Lindore me Kosovën, por dhënia e një pjese të Kosovës Serbisë, madje këtu rrezikohet e gjithë hapësira jonë vitale përtej lumit Iber. Në ketë rast dhimbja është edhe më e madhe se e tërë kjo po vije pas kompromiseve të shumta që Kosova ka bërë në Bisedimet e Vjenës dhe më pas në Bisedimet e Brukselit. Kjo që e ka bërë një njeri, qoftë edhe njeriu i parë i vendit, për gatishmërinë për kompromis të ri pas shumë kompromiseve të njohura, e ka vetëm një emër – tradhti. Madje, edhe sikur e tërë kjo të ishte arritur pas një konsensusi nacional në mes partive politike pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës për kompromis do të ishte tradhti e cila do të duhej të parandalohej nga qytetarët e Kosovës. Por krejt çështja është, në ketë hallakamë protestash për interesa vështirë të arsyeshme për rrethanat tona, si po duket pak ka hapësirë për veprime racionale afatgjata. Sipas të gjitha gjasave edhe kjo hallakamë e ka gatishmërinë për kompromise të reja?!
Për rrethanat e reja të krijuara kahmoti, më duket krejt e paarsyeshme heshtja e rinisë në përgjithësi, sidomos e rinisë studentore e cila duhet të jetë më e përkushtuara për t’i mbrojtur frytet e fituara me luftën çlirimtare dhe angazhimin e saj për avancimin e këtyre fryteve në rrethana të reja progresi, zhvillimi e solidariteti.
Gatishmëria e cilitdo institucion të Kosovës për kompromis të ri nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë kompromis, por duhet të konsiderohet edhe më shumë sesa komprometim. Mbase, është momenti i fundit që cilitdo që guxon te ofroj gatishmëri kompromisi apo lëshime të reja ndaj Serbisë, si dhe ndaj të gjithë atyre që thirrin si kukuvajka për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë, populli shqiptar i Kosovës duhet t’i nxjerrin pa hezituar jashtë politikës. Taksa e ka vetëm një adresë kundërshtuese – Serbinë! Çdo tentim për orientim tjetër është mashtrim e trillim.
Të gjithë në Kosovë duhet ta dinë se Republikës së Kosovës jo vetëm që si duhen kompromise e konferenca të reja, kuptohet pas Bisedimeve të Vjenës, ashtu si nuk i janë dashur as Bisedimet politike të Brukselit të cilat veç situatave konfliktuoze nuk kanë krijuar asgjë të mirë. Dhe ato situata i kemi parë shumë herë gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit.
Nëse dikush do të duhej ta kërkonte kompromisin, ai dikush do të duhej të ishte vetëm e vetëm Serbia e trashëgimtarëve të Millosheviqit e jo shqiptarët – viktimat më se njëshekullore të regjimeve të ndryshme serbe.