Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë Speciale për dëshmi në rastin e rezervave shtetërore.
Sipas tij, nëse kreu qeveritar s’ka çka fsheh nuk duhet të frikësohet, por të japë shembull se para drejtësisë të gjithë janë të barabartë. Ai ka deklaruar se nuk e di nëse të kaluarën ndonjë prej ish-kryeministrave ka dhënë dëshmi në Zyrën e Kryeministrit, siç ka kërkuar shefi i ekzekutivit.
“Zotëri Kurti do të duhej t’i përgjigjej kërkesës. Nëse s’ka çka të fsheh dhe për çka të frikësohet ai do të duhej të jepte një shembull, pasi ka qenë njeriu i cili katër vite më parë fushatën e ka quajtur punë dhe drejtësi. Drejtësia është kjo. Drejtësia duhet të jetë e pandikuar, pavarur dhe verbër. Në këtë kuadër secili zyrtarë dhe kryeministri është shefi i ekzekutivit duhet të jepte shembullin e vet që është kontribut ndaj një drejtësie të tillë… 03:35 Unë personalisht nuk e di nëse ka pasur ndonjë rast të tillë. Nëse ka pasur raste të tilla deri tash do të diheshin”, ka deklaruar Krasniqi në një intervistë për KosovaPress.
Ai e ka kritikuar kreun qeveritar edhe për qasjen siç e ka quajtur, të ulët në raport me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Sipas tij letër-këmbimi me NATO-n, i ish-kryeministrit Thaçi nuk e ndalon prezencën e FSK-së në veriun e banuar me shumicë serbe, mirëpo nevojitet vetëm darkodim me misionin e NATO-s në Kosovë.
Ai deklaron se kryeministri Kurti ka dëmtuar raportet me NATO-n.
“Kjo është një qasje jashtëzakonisht e ulët e kryeministrit kur mundohet si me thënë me bërë elefant prej një miu të vogël. Kjo as s’ka qenë e fshehtë dhe as s’ka qenë befasuese kur e ka pa ai dhe as e panjohur. Ne është dashur të kemi një funksionim të shtetit në raport me partnerët strategjik ndërkombëtarë si të kaluarën. Ajo letër nuk thotë asgjë më shumë sesa FSK-ja kurdo që shkon në veri shkon e koordinuar në NATO dhe pa i befasuar ata. Gënjeshtra që është munduar me krijuar zotëri Kurti me vetëdije është kinse letra thotë që FSK-ja nuk shkon në veri. Kjo është e pavërtetë pasi letra është publike…Është thënë se kurdo që dërgohen trupat duhet në koordinim…Brenda vitit 2025 do të rikuperojmë raportin e dëmtuar me NATO-n për të ndërmarrë veprime që na qojnë si hap të parë në Partneritetin për Paqe dhe më pastaj edhe në Planin Aksional për Anëtarësim”, ka theksuar Krasniqi.
Sipas tij institucionet e Kosovës kanë dështuar t’i bindin aleatët ndërkombëtarë se Serbia qëndron prapa sulmeve terroriste në veri.