Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është takuar me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Krasniqi gjatë takimit ka shprehur shqetësim lidhur me arrestimin e veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Krasniqi, ky veprim i “papranueshëm”, cenon raportet ndërshtetërore.
“Në këtë takim, shpreha shqetësimin lidhur me arrestimin e veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut – veprim ky i papranueshëm që cenon raportet tona ndërshtetërore, me ç’rast kërkova që faktori shqiptar atje të angazhohet fuqishëm për ndaljen e këtyre përndjekjeve”, tha Krasniqi.
PDK sipas Krasniqit mbetet e përkushtuar në ruajtjen e raporteve të mira dhe fqinjësore me Maqedoninë e Veriut, sidomos me spektrin politik shqiptar në bashkërendimin e politikave të përbashkëta në të mirë të fuqizimit të shqiptarëve në rajon.
“Kryetarit Gashi i urova punë të mbarë, që si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të ndihmojë në realizimin e ambicieve dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë atje”, tha Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi ka qëndruar sot në Kosovë ku ka zhvilluar takime edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca dhe me kryeministrin Albin Kurti.