Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 është planifikuar të bëhet më 7 janar të vitit të ardhshëm.
Në një konferencë për media, zëdhënësi në KQZ, Valmir Elezi tha se gjatë periudhës shtator e deri më 11 dhjetor të këtij viti kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
“Po besojmë që duke filluar nga java e ardhshme KQZ do të mund të fillojë me certifikimin e grupeve të ndryshme të subjekteve politike varësisht edhe nga përgjigjet që pranohen nga këto institucione. Sipas planit të aktiviteteve të KQZ-së tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim është planifikuar të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm më 7 janar. Por, deri atëherë do të kemi mundësi të diskutojmë”, tregoi Elezi.
Elezi potencoi se numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1 mijë e 280 kandidatë.
Ai tregoi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë aplikuar secila me nga 110 kandidatë për deputetë. Po ashtu edhe koaliciconi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma – Nisma Socialdemokrate, Lista Konservatore, Forumi Intelektual – E – 30 kanë aplikuar me nga 110 kandidatë.
Ndërkaq, Lista Serbe me 48 kandidatë.
Ndër të tjera, Elezi tha se KQZ do të kërkojë nga institucionet kompetente të bëjë verifikimet e nevojshme për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Me qëllim të zbatimit të nenit 30 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme KQZ do të kërkojë nga institucionet kompetente të bëjë verifikimet e nevojshme për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje…KQZ tashmë veçse ka dërguar shkresa disa prej institucioneve të cilat kanë rolin e tyre në verifikimin e përshtatshmërisë apo aftësisë së kandidatëve për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje…Në këtë nen, parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili është dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv…Gjithashtu, ky nen specifikon se kandidat nuk mund të certifikohet një person i cili është zyrtar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga PZAP-i të bëjë verifikimet në raport me këto kufizime ligjore”, tha Elezi.
Mbrëmjen e së mërkurës është përmbyllur periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.