KQZ-ja pranon mbi 38 mijë pako me fletëvotime – sonte përmbyllet periudha e votimit përmes postës

KQZ ka bërë të ditur se sot përmbyllet periudha e votimit përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar të pranojë pako të supozuara me fletëvotime të cilat po vijnë nga jashtë vendit.

“Deri më tani numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar është: 38 mijë e 339 pako”, ka thënë Elezi.

Ai ka theksuar se pranimi i këtyre pakove po bëhet me përcjelljen e policisë si dhe vëzhguesve të subjekteve politike dhe organizatave jo-qeveritare të akredituara.

Zyrtarë të KQZ-së kanë bërë të ditur javë më parë se 103,582 personave jashtë Kosovës u është mundësuar shfrytëzimi i kësaj të drejte, derisa rreth 27,000 aplikuesve të tjerë nuk u janë pranuar aplikacionet.

Votimi përmes postës për zgjedhjet në Kosovë ka nisur më 2 shkurt.

Shumë qytetarë janë ankuar se pavarësisht pse kanë dërguar dokumentet e kërkuara gjatë aplikimit, nuk kanë gjetur emrat e tyre në listat përfundimtare të KQZ-së.

Ditëve në fundit është vërejtur një rritje e numrit të qytetarëve të nisur drejt Kosovës.

Qoftë përmes transportit ajror, apo atij rrugor, ata kanë thënë se një nga arsyet e vizitës është edhe pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës.