Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të premten ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat veriore, që janë mbajtur më 23 prill.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), nuk ka pranuar asnjë ankesë për këtë proces zgjedhor dhe në këtë formë sipas tij janë plotësuar kushtet që rezultatet të certifikohen.
Sipas rezultateve në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Zveçan dhe Zubin-Potok ata të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në Leposaviq, Lulzim Hetemi i VV-së mori shumicën e votave. Hetemi mori 100 vota apo 73.5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind. Aleksandar Jabllanoviq, edhe pse u tërhoq nga gara, mori dy vota.
VV-ja do të udhëheqë në Mitrovicën e Veriut. Kandidati i saj, Erden Atiq ka fituar 553 vota apo 66.9 për qind. Pas tij është renditur kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi, që mori 193 vota apo 23.4 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica mori 80 vota apo 9.7 për qind.
Ndërkohë, PDK-ja do të udhëheqë me Zubin-Potokun. Kandidati i saj, Izmir Zeqiri, fitoi ngushtë ndaj kandidatit të VV-së, Flatron Hasani. Zeqiri mori 197 vota apo 52.2 për qind, kurse Hasani pati 180 vota apo 47.7 për qind.
PDK-ja do ta ketë kryetarin e komunës edhe në Zveçan. Ilir Peci mori 114 vota apo 59 për qind, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 72 vota apo 37.3 për qind. Sllagjana Pantoviq mori shtatë vota apo 3.6 për qind.