Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Gjatë ditës së sotme, KQZ-ja ka marrë disa vendime për certifikimin e grupit të parë prej 11 subjekteve politike dhe gjithsej 606 kandidatë për deputetë.
“Gjatë periudhës për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës (1 shtator – 11 dhjetor 2024, 23:59) kanë aplikuar: 28 subjekte politike, prej tyre: 20 parti politike; 5 koalicione; 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1,280 kandidatë”, thuhet në njoftim.