KQZ gati për zgjedhjet në veri, fton qytetarët të marrin pjesë në votime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar planin operacional për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Në rend të ditës të mbledhjes së KQZ-së, ishin tri pika që kishin të bëjnë me zgjedhjet në veri, transmeton Telegrafi.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për zgjedhjet.

“Kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për organizmin e zgjedhjeve, vendvotimet që janë miratuar, kemi vendosur kontejnerë në vendin e duhur, tashmë janë gati për votime. Ftoj qytetarët të dalin në votime dhe të votojnë për kryetarin e tyre. Me shpresë që gjithë procesi të shkojë i lirë”, tha ai.

Në mbledhjen e KQZ-së u bë edhe miratimi i dy ekipeve mobile.