KQZ është gati për zgjedhjet në Drenas

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar të gjitha përgatitjet në lidhje me organizimin e procesit të nesërm zgjedhor në Drenas, proces ky i cili do të vëzhgohet nga më shumë se 1000 vëzhgues të akredituar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i ka thënë KosovaPress-it se përgatitjet kanë përfunduar dhe ajo çfarë mbetet është se gjatë ditës së sotme do të bëhet rregullimi i vend votimeve.

“Komisioni qendror i zgjedhjeve tash ka përfunduar të gjitha përgatitjet në lidhje me organizimin e procesit të nesërm zgjedhor në Drenas. Ajo çfarë ka mbetur është se gjatë ditës së sotme do të bëhet rregullimi i vend votimeve pra do të vendosen kabinat e votimit. Ndërkaq gjatë ditës së diele në orët e hershme të mëngjesit do të bëhet shpërndarja e flet votimeve dhe materialit tjetër senzitiv në të gjitha vend votimet”, tha ai.

Sipas tij, janë mbi 1000 vëzhgues të akredituar që do t’i përcjellin nga afër raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Drenasit.

“Gjatë raundit të parë të zgjedhjeve komisioni qendror i zgjedhjeve ka akredituar 853 vëzhgues ndërkaq gjatë kësaj kohe të përgatitjes së raundit të dytë janë më shumë se 200 vëzhgues të akredituar. Pra nëse flasim në përgjithësi me shifra janë më shumë se 1000 vëzhgues të akredituar nga ana e komisionit qendror të zgjedhjeve të cilët do të vëzhgojnë procesin zgjedhor atje”, tha ai.

Ai tha se janë 52 mijë e 569 të votues të cilët janë të shpërndarë në 28 qendra votimi me gjithsej 72 vendvotime.

Vendvotimet do të hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00.