Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kovaçevski: Janë hapur negociatat me Bashkimin Evropian

Kovaçevski: Janë hapur negociatat me Bashkimin Evropian

Kryeministri I Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me rastin e fillimit të procesit të skriningut për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE), theksoi se kjo po ndodh pas 17 viteve pritjeje, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Janë hapur negociatat me Bashkimin Evropian! Pas 17 vitesh pritjeje, sot në Bruksel është hapur procesi i skriningut për Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Kovaçevski, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kovaçevki shtoi se në këtë proces do të thellohen reformat thelbësore për zbatimin e rregulloreve evropiane, për evropianizimin e shoqërisë dhe për funksionimin evropian të shtetit.

“Dita e sotme është vërtet e madhe dhe e rëndësishme për të ardhmen e të gjithë qytetarëve në vendin tonë, ata meritojnë të jetojnë në një shoqëri stabile, demokratike dhe evropiane. Uroj punë të suksesshme, ekipi maqedonas është i gatshëm për sfidën”, theksoi kryeministri Kovaçevski.

Në njoftim theksohet se sot nis skriningu shpjegues për Kapitullin 5, Furnizimi Publik.

Siç thuhet në njoftim, delegacionin maqedonas në Bruksel e kryeson zv/kryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane dhe kryenegociatori i Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq.

Nga data 15-27 shtator të vitit 2022 do të zhvillohen takime për fushat dhe kapitujt e Klasterit të Vlerave Themelore, kur Komisioni do të prezantojë legjislacionin e ri për këto fusha.

Exit mobile version