Ballina Kulturë Evenimente Kosovë, shënohet 50-vjetori i drejtimit të Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës

Kosovë, shënohet 50-vjetori i drejtimit të Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës

Është mbajtur ceremoni me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Departamentit të Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, raporton Anadolu.

Në ceremoni morën pjesë rektori i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës (UP), Qerim Qerimi, ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Feisal Hefzi, prodekanja e Fakultetit të Filologjisë në UP, Milote Sadiku si dhe të ftuar të tjerë.

Rektori i UP-së, Qerim Qerimi tha se Departamenti i Orientalistikës ka arritur të jetësojë një mori veprash shkencore, kulturore si dhe ka arritur të arsimojë orientalistët gjatë këtyre dekadave, të cilët kanë dhënë kontribut të vlefshëm në ndriçimin e trashëgimisë orientale.

“Sot, më tepër se çdo herë tjetër është thelbësore që të kuptojmë dhe vlerësojmë kulturat e tjera për të krijuar një botë më të bashkuar dhe një botë paqësore. Departamenti i Orientalistikës për 5 dekada shërben si një urë lidhëse ndërmjet kulturave duke ndihmuar studentët dhe studiuesit që të zhyten në botën e orientit dhe kështu të marrin një perspektivë më të gjerë”, tha Qerimi.

Ambasadori Angılı tha se Ballkani ka pasur një ndikim shumë serioz në traditën e mendimit dhe në menaxhimin e shtetit në Perandorinë Osmane. Ai vuri në dukje se shqiptarët në veçanti kishin një ndikim të madh edhe në Ballkan.

“Shqiptarët janë kombësia që mbante numrin më të madh të detyrave vezirë në shtetin osman. Këto lidhje kulturore mes nesh vazhduan edhe në kohët moderne. Për shembull, Hasan Prishtina, i cili i dha emrin universitetit tuaj, studioi në Fakultetin Juridik në Universitetin e Stambollit dhe luajti një rol të rëndësishëm në luftën me perspektivën kundër-orientaliste që u shfaq në Evropë me lindjen e Republikës Turke”, theksoi ai.

Prodekanja i Fakultetit të Filologjisë, Milote Sadiku tha se orientalistika është një nga programet më të vjetra në UP derisa shtoi se në këtë program mësohet në arabisht, turqisht dhe persisht. Në fund të ceremonisë, akademikëve të cilët kontribuuan në këtë departament që nga themelimi i tij iu ndanë mirënjohje.

Departamenti i Orientalistikës në UP është themeluar në vitin 1973 për të edukuar dhe trajnuar studentë që do të studiojnë trashëgiminë kulturore shqiptare, me mendimin se një sërë lëndësh si gjuha, letërsia, historia, kultura, etnologjia dhe folklori shqiptar nuk mund të hulumtohen pa studime orientale.

Exit mobile version