Ballina Arritje Kosovë, nxënësit e shkollës “Maarif” me rezultate të jashtëzakonshme në Olimpiadën Ndërkombëtare...

Kosovë, nxënësit e shkollës “Maarif” me rezultate të jashtëzakonshme në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM

Nxënësit e shkollës “International Maarif Schools Of Kosova”, Dega në Prishtinë, kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme në finalen e Olimpiadës Ndërkombëtare STEM, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga Shkolla, Kushtrim Kajoshi, njëri nga nxënësit e Degës së shkollës në Prishtinë, i cili e përfaqësoi Kosovën në finalen e madhe të Olimpiadës STEM të mbajtur në Paris, fitoi vendin e dytë në botë në kategorinë e shkencës.

Duke u bërë një nga shkollat me më së shumti medalje dhe çmime të fituara në finalen e Olimpiadës STEM, sipas njoftimit, nxënës të ndryshëm kanë fituar gjithsej 8 medalje në disa kategori, përfshirë shkencë, matematikë, kodim.

“Këto gara u organizuan në bashkëpunim me Qendrën Infinit. Falënderojmë për mbështetjen e ofruar nga Banka Kombëtare Tregtare. Ne i përgëzojmë për rezultatin e arritur dhe ju urojmë atyre suksese në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit nxënësit që kanë fituar medalje dhe çmime janë si në vijim:

“Në kategorinë e kodimit me medalje të artë Ron Shllaku. Në kategorinë e shkencës me medalje të artë Emir Lezi, me dalje të argjendtë Erta Tejeci, me medalje të bronztë Fatbardh Mulaku. Në kategorinë e matematikës me medalje të artë Ron Shllaku, me medalje të argjendtë Kushtrim Kajoshi si dhe me ‘honorable medal’ Omar Gashi”.

Në finalen e madhe “best of the best”, sipas njoftimit, në mesin e më shumë se 400 pjesëmarrësve nga e gjithë bota, gjithsej 14 garues nga Kosova, 6 nxënës nga shkolla e “Maarif” morën pjesë në kategoritë shkencë, matematikë dhe kodim.

Nxënësit që përfaqësuan Kosovën në Lojërat Olimpike STEM vizituan Universitetin e Sorbonës në Paris, Qendrat Shkencore në Matematikë dhe Kodim, Kullën Eiffel dhe parkun argëtues Disneyland Paris.

Finalja e Olimpiadës STEM u mbajt midis 18-23 korrik nën koordinimin e qendrës Infinit në kryeqytetin e Francës, Paris.

Olimpiada Ndërkombëtare STEM është platformë ndërkombëtare konkurrimi online në të cilën konkurrojnë studentët nga klasa 1 deri në 12 ndërsa pyetjet përgatiten në përputhje me filozofinë e edukimit STEM.

STEM është një kurrikulë e bazuar në filozofinë e edukimit të studentëve në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë në një qasje ndërdisiplinore dhe të zbatueshme, ku STEM i integron këto lëndë në një përvojë gjithëpërfshirëse të të mësuarit.

Exit mobile version