Gripi sezonal ka prekur mijëra qytetarë në vend, kështu ka shkaktuar vdekjen e katër personave, duke përfshirë këtu edhe një fëmijë. Mjekët thonë se frika ndaj koronavirusit ka lënë mënjanë epideminë virale, e cila po ashtu është e rrezikshme.
4 persona kanë vdekur nga gripi sezonal në Kosovë, derisa mijëra të tjerë janë të prekur me të. Vetëm nga muaji tetor i vitit të kaluar deri më 5 janar të këtij viti Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se mbi 16 mijë raste janë raportuar si të dyshimta me grip, ndërsa nga janari deri tani nga institucionet publike shëndetësore në vend është thënë për “Zërin” se numri i të prekurve me grip është rritur edhe më shumë.
Gripi është gjendje akute infektive e sistemit respirator, që shkaktohet nga virusi A, B dhe C. Virusi A vlerësohet të jetë më i rrezikshëm se ai B dhe C.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) në vend ishte bërë e ditur se virusi A i gripit është në qarkullim në vend e infektologët janë shprehur se edhe virusi B ka prekur qytetarët, shkruan tutje “Zëri”.
Nga IKSHPK-ja kanë rekomanduar të vaksinohen personat e ndjeshëm e në radhë të parë personat me sëmundje të rënda kronike, të mbahet higjiena personale, qytetarët t’i lajnë duart sa më shpesh e të mos rrinë në vende ku grumbullohen shumë njerëz.