Shumica e familjeve kosovare shpenzojnë më së shumti për ushqim dhe pijet jo alkoolike sipas disa të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), përkatësisht Departamenti i Statistikave Sociale (DSS) që ka zhvilluar Anketën mbi Buxhetin e Ekonomive Familjare (ABEF), prej vitit 2002.
Një raport me statistika ku janë paraqitur rezultatet në formë përmbledhëse për konsumin, shpenzimet dhe të ardhurat e ekonomive familjare për periudhat 2014-2016 dhe kushtet e jetesës për periudhat 2015-2016, nxjerrë në pah faktin se kosovarët shpenzojnë më shumë për alkool sesa për edukim, raporton Insajderi.
Shpërndarja e konsumit sipas grupeve të konsumit Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2016 është shpenzuar në ushqim dhe banim, 42 për qind për ushqim dhe 29 për qind për banim, të konsumit të përgjithshëm. Pasojnë shpenzimet për veshmbathje 5 për qind dhe nga 4 për qind për transport, alkool dhe duhan.
Në vitin 2016, krahasuar me vitin 2015, ushqimi nga prodhimi vetanak në konsumin e përgjithshëm ka shënuar një rënie të vogël, dhe në 2016 ushqimi nga prodhimi vetanak është 6 për qind.
Për ushqim dhe pijet joalkoolike në vitin 2016 është shpenzuar 42 për qind e buxhetit të ekonomike familjare, për alkool dhe duhan 4 për qind ndërsa për edukim 0 për qind.
Ushqimi në Kosovë sipas Agjencisë së Statistikave dominohet nga mishi, qumështi, djathi, vezët, buka dhe drithërat, qe kontribuojnë më shumë se gjysmën e konsumit të ushqimit (në vlerë). Më pas radhiten perimet dhe pijet jo alkoolike.
Fiks 29 për qind e buxhetit të ekonomive familjare shpenzohet për banim, 5 për qind veshmbathje e 4 për qind për mobilie.
Për shëndetësi, ekonomitë familjare në Kosovë shpenzojnë 3 për qind të buxhetit ndërsa për rekreacion 1 për qind.