Kosovarët që prodhuan printerin 3D

Pesë vjet më parë tre djem kosovarë kishin nisur një rrugë interesante. Planifikonin që të prodhonin printer tredimensional. Jo të printosh vetëm në letër, por të printosh objekt fizik. Kjo do t’i bënte të parët që prodhojnë harduer në rajonin e Ballkanit.

Në vitin 2012, Rron Cena po përfundonte studimet në Qipro për arkitekturë dhe ishte lodhur nga maketet dhe modelet që i bënte me dorë. Për ta menaxhuar kohën më mirë, i kishte rënë në dorë për herë të parë një printer 3D. Atëherë ishte fillimi i këtij produkti në botën teknologjike, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Shumë rrallë mund të biesh në një industri që është foshnjë, sidomos në teknologji. Një herë në dekadë mund të them”, fillon rrëfimin Cena, që sot drejton kompaninë “Formon”.

I kthyer në Kosovë, bashkë me dy shokë kishte zhvilluar idenë për një biznes me shërbime të printerit 3D.

“Ideja ka qenë me Arianitin dhe Drinin, me fillu me një kompani që ofron shërbim. Të krijojmë një portal online, që klienti e dërgon projektin, ne e printojmë dhe e dërgojmë”, tregonte Rroni, teksa dy bashkëpunëtorët e tij rrinë me kokë drejtuar kompjuterit.