Qeveria e Shqipërisë është përfshirë në një ‘skandal diplomatik’ gjatë një konference rajonale të nivelit të lartë që u mbajt javën e kaluar në Tiranë, ku pjesëmarrëse ishte edhe Kosova.
Ndryshe nga shtetet e tjera, Kosova ishte prezantuar me fusnotë që i referohej Rezolutës 1244 të OKB-së.
Si reagim ndaj kësaj mënyre përfaqësimi, zëvendësministri në detyrë i Financave të Kosovës, Agon Doburuna, braktisi konferencën në shenjë proteste.
Në një postim në Facebook, Doburuna tha se ishte i detyruar të largohej nga ngjarja dhe të refuzonte nënshkrimin e Deklaratës së Angazhimit, për shkak të, siç e cilësoi ai, “trajtimit të papranueshëm të Republikës së Kosovës.”
“Mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese,” shkroi Doburuna.
Sipas tij, kërkesa për korrigjimin e këtij përfaqësimi u injorua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë – organizatore e konferencës – duke cenuar frymën e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë që kjo konferencë synonte të promovonte.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Kosova është një realitet i pamohueshëm ndërkombëtar. Ne jemi të përkushtuar thellësisht për të garantuar të drejtat e fëmijëve tanë dhe për të kontribuar në paqe e stabilitet në rajon, por kjo nuk mund të bëhet duke na mohuar subjektivitetin shtetëror,” theksoi Doburuna në reagimin e tij publik.
Më 24 shkurt të vitit 2012, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përfaqësimin rajonal, që më vonë u bë e njohur si “marrëveshja e fusnotës”.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, fusnota do t’i shtohej emrit të Kosovës sa herë që vendi do të përmendej, për ta mundësuar përfaqësimin në konferenca e iniciativa të ndryshme rajonale e ndërkombëtare.
“Ky përcaktim është pa paragjykime ndaj statusit dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thuhet në marrëveshje.