Kosova themelon Zyrën për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës

Qeveria e Kosovës ka themeluar Zyrën për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës.

Me asnjë votë kundër, kabineti i Qeverisë së Kosovës me propozim të zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj, ka miratuar propozimin për themelimin e Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës.

Sipas Selmanajt, kjo zyrë do të jetë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, raporton lajmi.net.

Selmanaj po ashtu ka treguar se çfarë do të ofrojë kjo Zyrë për qytetarët e Luginës së Preshevës.

“Zyra themelohet me qëllim që të ofrojë mbështetje për qytetarët që jetojnë në rajonin e Luginës së Preshevës. Kryeministri emëron drejtorin e Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës që është njëkohësisht edhe këshilltar i kryeministrit dhe i përgjigjet drejtpërdrejt atij. Qeveria e Republikës së Kosovës përmes kësaj zyre, bazuar në legjislacionin në fuqi, angazhohet të ndërmarrë masa të nevojshme që të lehtësojë dhe përmirësojë jetesën e qytetarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës në fushat si në vijim, por duke mos u kufizuar vetëm në to. Në fushën e arsimit dhe kulturës do të mbështeten iniciativat të nisura më parë siç është memorandumi i bashkëpunimit në mes të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe memorandumet e tjera, financimi i ndërtimit të shkollës së muzikës, etj,. Furnizimi i rregullt me tekste të domosdoshme shkollore, furnizimi i bibliotekave me libra të nevojshëm, pranimi i studentëve nga Lugina e Preshevës në Universitetet Publike bazuar në kuotat e përcaktuara që marrin parasysh nevojat e institucioneve arsimore dhe institucioneve tjera në Luginë si dhe mbështetjen e tyre gjatë studimeve. Mbështetja e aktiviteteve kulturore dhe sportive, mbështetja e medieve lokale dhe OJQ-ve të cilat në objektivat e tyre kanë mbështetjen arsimore, kulturore dhe rinore. Në fushën e ekonomisë, mbështetje për shoqatat, bizneset nga Kosova me bizneset dhe shoqatat nga Lugina e Preshevës, mbështetje për bizneset nga Lugina për të marrë pjesë në panaire dhe organizime të tjera biznesore në Kosovë. Inicimi i bashkëpunimit ndërkufitar të komunave në Kosovë dhe ato në Luginë, përcaktimin e një kuote për qytetarët e Luginës në programin e trajnimeve për zanate të ndryshme”, ka treguar Selmanaj.

Ky propozim i Selmanajt u votua nga të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar të Kosovës.