Miratimi i Ligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës, nëpërmjet të cilit menaxhimin e kombinatit e merr përsipër Qeveria e Kosovës, ka shkaktuar reagime të shumta si të serbëve të Kosovës ashtu edhe të zyrtarëve të Beogradit.
Pas miratimit të këtij ligji, përfaqësuesit politik serb të Kosovës morën vendimin e ngrirjes së punës së tyre në Kuvend, duke theksuar se ata nuk kanë qenë pjesëmarrës në formulimin e këtij ligji dhe duke konsideruar se miratimi i tij është i paligjshëm.
Përfaqësuesit e Listës Serbe të Kuvendit të Kosovës gjithashtu kanë njoftuar për ankesën e tyre rreth këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Serbia pretendon se pasuria e kombinatit të Trepçës është e tyre, kurse nga ana tjetër në Kosovë ky ligj shihet si shpëtim nga likuidimi i këtij kombinati të minierave kimiko-metalurgjike.
Trepça përfshin një sasi të madhe të minierave të zinkut e të plumbit dhe përfshin pjesët jugore, jugo-perëndimore dhe perëndimore të pjesëve të malit Kopaonik dhe është një prej minierave më të mëdha në Evropë. Miniera e Trepçës është hapur që nga viti 1930 dhe dhjetë vite më vonë ka filluar me punën e shkrirjes së metaleve.
Pas Luftës së Dytë Botërore prona e Trepçës u shtetëzua dhe u zhvillua aq shumë, saqë ka prodhuar 70 përqind të burimeve minerale të ish-Jugosllavisë. Pjesa më e madhe e përfitimeve të asaj kohe, ishte e lidhur me Trepçën, për të cilën ishte ngritur parulla “Trepça punon, Beogradi ndërtohet”.
Kombinati i Trepçës ka pasur rol të dyanshëm për vendin, ku përveç rolit ekonomik, protestat e minatorëve gjithashtu kanë sjellur ndryshime të shumta politike.
“Pas luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999 edhe kombinati i Trepçës u nda në dy pjesë”
Drejtori i ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava për Anadolu Agency (AA) tha se kjo ndërmarrje ka mbijetuar falë angazhimit të jashtëzakonshëm të minatorëve, të cilët kanë punuar edhe në kushte shumë të vështira gjatë viteve të 90-ta.
“Trepça në të kaluarën ka qenë një kompleks me një shkallë të lartë të finalizimit dhe me një nivel të lartë të teknologjisë të asaj kohe, kurse tash e kemi një nivel teknologjik krejt tjetër. Në aspektin e statusit zhvillimor mendohet të rritet shkalla e finalizimit dhe njësitë që janë jashtë funksionale të funksionalizohen, të hapen mundësisht vende të reja të punës dhe me rritjen e prodhimit të arsyetohet vlera ekonomike reale të aseteve që ekzistojnë”, tha Tmava.
Pas luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999 si Mitrovica ashtu edhe kombinati i Trepçës u ndanë në dy pjesë, në atë jugore të shqiptarëve dhe në pjesën veriore të serbëve. Për këtë Tmava theksoi se tani në pjesën jugore të këtij kombinati, pra në anën shqiptare janë të punësuar 1450 minatorë, kurse në pjesën veriore punojnë 1.050 minatorë serbë.
Ai bëri të ditur se kjo shifër ka mjaft diferencë me atë të udhëheqësve serb, të cilët pretendojnë se në anën veriore punojnë 3 mijë minatorë serb. Tmava theksoi se ky dallim qëndron në faktin se këta punëtorë janë në listën e pagave të cilët marrin pagën minimale të Qeverisë së Serbisë.
Ai së fundi shprehu bindjen se tani ka hapësirë dhe mundësi që të bisedohet me kolegët nga veriu në mënyrë që të krijohet një epokë e re e zhvillimit të kombinatit, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie. Ai beson se për këtë do të gjendet gjuhë e përbashkët.
“Trepça në Kosovë gjithmonë është konsideruar si bazë e zhvillimit ekonomik”
Ndërkaq, Kaqusha Jashari, kryetare e Partisë Socio-Demokrate të Kosovës thotë se ajo ka qenë një prej atyre që ka përjetuar dhe ka dhënë kontribut në periudhën më të mirë të kombinatit të Trepçës. Ajo shtoi se në atë peridhë në Trepçë kanë qenë të punësuar deri në 30 mijë punëtorë.
Sipas fjalëve të saj, Trepça në Kosovë gjithmonë është konsideruar si bazë e zhvillimit ekonomik dhe shtoi se për këtë arsye janë ndërtuar shumë fabrika për finalizimin e mineraleve, e jo vetëm për shitjen e tyre.
Jashari e cila në kohën e trazirave më të mëdha në ish-Jugosllavi ka qenë zyrtare e lartë e Kosovës, rikujtoi se punëtorët e Trepçës kanë qenë gjithmonë të emancipuar dhe në rolin e tyre për zhvillimin e kombinatit kanë patur edhe rolin e ruajtjes së Kosovës.
“Ashtu si kombinati Trepça kanë pasur ndikim edhe në të tjerët në Kosovë. Kur minatorët kanë thënë diçka atëherë është ditur se duhet shkuar pas tyre. Prandaj edhe ato lëvizje që kanë qenë me 88-tën dhe 89-tën, me veprimin e tyre, kanë ngritur në këmbë gjithë Kosovën”, tha Jashari për Anadolu Agency (AA).
Jashari theksoi se politikanët e asaj kohe të Kosovës edhe pse kanë mbështetur minatorët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë tjetër sepse kanë qenë të larguar nga pozita, e politika e Milosheviçit ka vepruar vrazhdë dhe ka okupuar në të gjitha segmentet e jetës.
“Institucionet e Kosovës janë suspenduar por edhe në komplekse të mëdha jo vetëm në Trepçë por kemi patur edhe agro-Kosovën dhe disa komplekse të tjera, kanë qenë organe të dhunshme. Edhe une atë periudhë gjithmonë e përkujtoj në kuptimin e rezistencës por edhe me një dozë të dhimbjes sepse nuk kemi patur fuqi më tepër në atë kohë për të bërë diçka”, tha ajo.
Kaqusha Jashari vlerësoi se miratimi i ligjit për Trepçën është pozitiv, meqë kjo ndërmarrje ka qenë në fazën e likuidimit. Ajo theksoi se mbetet për të parë se sa do të kontribuojë ky ligj në zhvillimin e këtij kombinati dhe në të mirën e të gjithë punëtorëve e të qytetarëve.
Ajo shprehu keqardhje që Serbia e politizon çështjen e Trepçës, dhe atë e bën në nivel më të lartë, e cila ndikon te deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës dhe të qytetarëve serb në veri të Kosovës. Sipas fjalëve të saj, Trepça për Kosovën është një çështje ekonomike.
“Për neve Trepça nuk është një problem politik sepse konsiderojmë se Kosova e ka sovranitetin e vet. Kosova është shtet e Serbia nuk e pranon këtë, mendon që krejt Kosova është pjesë e Serbisë dhe këtu qëndron problemi. Prej eksperiencës së deritanishme unë besoj se pengesa do të kemi edhe më tutje, por mendoj se ne nuk duhet të merremi me dhënien e përgjigjeve për veprime politike, por duhet të mendojmë për zhvillimin e mëtutjeshëm të Trepçës”, tha në fund Jashari.
“Tani presim që me ligjin e ri të kemi kushte më të mira”
Gani Osmani, një minator në minierën e Trepçës theksoi se është punëtor i vjetër i saj, që nga viti 1981. Ai bëri të ditur se nga puna është larguar në periudhën e 90-ve kur shqiptarët kanë qenë të dëbuar nga puna, nga regjimi i atëhershëm serb.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA) Osmani u shpreh së është i kënaqur dhe mirënjohës për miratimin e ligjit të Trepçës, duke theksuar se nga ky ligj presin të krijohen zhvillime dhe përmirësime të shumta.
Ai rikujtoi se Trepça dikur ka qenë vërtetë një gjigand ekonomik, tha se “Atëherë ka patur më shumë vende të punës dhe numri i punëtorëve ka qenë shumë më i madh. Mirëpo, edhe me numrin e punëtorëve që janë tash nëse llogarisim puna nuk po ecë keq. Mirëpo, mjetet janë shumë të vjetëruara, ato janë që nga para 50 vitesh. Tani presim që me ligjin e ri të kemi kushte, mjete dhe investime të reja dhe besoj që puna do të ecë më mirë”, tha Osmani.
Ai bëri të ditur se ka qenë pjesëmarrës i grevës së famshme të vitit 1989, ku rreth 1.300 minatorë të Stantërgut, një nga minierat më të mëdha të Trepçës, hynë në grevë urie për ta mbështetur udhëheqjen e shkarkuar të atëhershme të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe për ta ruajtur autonominë e Kosovës, e cila u shfuqizua me ardhjen e Sllobodan Millosheviçit në krye të Serbisë.
Me këtë grevë minatorët gjithashtu kanë kërkuar shkarkimin e Rrahman Morinës, kryetarit të sapo zgjedhur të komitetit krahinor. Ata kanë ndërprerë grevën e tyre pas shtatë dite, kur Morina dha dorëheqje.
Osmani kishte marrë pjesë edhe në grevën e minatorëve të organizuar para dy vitesh, kur ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të rregullohet statusi i Trepçës. “Nëse bëjmë krahasim grevat e atëhershme dhe grevat e sotme ato kanë një dallim. Grevat e mëparshme të vitit 1989 kanë qenë më shumë greva politike, për mbrojtjen e Kushtetutës së vitit 1974, kurse tani grevat janë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimin e kushteve”, tha Osmani.
Kuvendi i Republikës së Kosovës para disa ditësh miratoi Ligjin për Trepçën, nëpërmjet të cilit Qeveria e Kosovës do të ketë 80 përqind të askioneve, ndërsa 20 përqind të tyre do të kenë punëtorët e Trepçës.