Ballina Sport Futboll Kosova të enjten mëson kundërshtarët e kualifikimeve për “Euro 2026”

Kosova të enjten mëson kundërshtarët e kualifikimeve për “Euro 2026”

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll të enjten mëson kundërshtarët e fazës kryesore të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2026. Shorti tërhiqet prej orës 16:30 në Kopenhagë të Danimarkës.

Në kualifikimet e rregullta do të paraqiten 32 përfaqësuese evropiane. Evropiani i ardhshëm për hendbollistë mbahet në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, përfaqësueset e të cilave vende kualifikohen direkt. Njëjtë është kualifikuar vetëm edhe kampionia në fuqi, Franca. Përmes kualifikimeve përcaktohen 20 përfaqësueset e tjera.

Pra prej 32 përfaqësueseve pjesëmarrëse kualifikohen 20. Kualifikimet zhvillohen në tetë grupe me nga katër përfaqësuese. Në Evropian shkojnë përfaqësueset e vendeve një e dy në secilin grup, si dhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë.

Kosova është e parafundit në vazon e fundit, përkatësisht të katërt. Më poshtë e ranguar është vetëm Letonia. Në vazon e katërt janë edhe Finlanda, Izraeli, Estonia, Gjeorgjia, Turqia e Luksemburgu.

Kosova nuk mund të jetë në grup me Serbinë, sipas vendimit në fuqi të EHF-së.

Dy xhirot e para zhvillohen në nëntor të këtij viti, dy të tjera në mars të vitit të ardhshëm e dy në maj të vitit të ardhshëm.

Kosova u kualifikua për këtë fazë garash pas suksesit në raundin promovues. Në janar, hendbollistët e Kosovës i fituan dy ndeshjet me Britaninë e Madhe për të bërë vend në kualifikimet e rregullta. Në Prishtinë, ndeshja kishte përfunduar 30:22 për Kosovën, ndërsa në derbi, “Dardanët” kishin fituar 29:23.

Kosova ka tashmë tri paraqitje në kualifikimet e rregullta. Ka arritur disa fitore të mëdha, sidomos ajo me Rumaninë, por pa avancuar. Tani synon kualifikimin e parë në Evropian. Por shumë do të varet nga shorti i së enjtes pasdite.

Exit mobile version