Kosova solidarizohet me Kroacinë, pas tërmeteve të fundit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj- Stublla, ka reaguar pas tërmetit që goditi edhe sot Kroacinë, duke shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, dhe solidaritet të plotë me Kroacinë dhe popullin mik kroat.

Ministrja Haradinaj-Stublla është shprehur se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Kroacisë në këtë kohë të vështirë për popullin kroat dhe qytetarët e prekur atje, dhe është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj për çfarëdo që konsiderohet e nevojshme në këto momente.

Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se ajo, ashtu sikurse gjithë populli i Kosovës, janë thellësisht të trishtuar dhe tronditur me lajmet për përsëritjen e tërmeteve në Kroaci, dhe me pasojat që lanë pas fatkeqësitë natyrore gjatë dy ditëve të fundit atje.

“Si institucione dhe si popull shprehim solidaritetin tonë të thellë me qytetarët e Kroacisë, shprehim ngushëllime familjeve të viktimave, lutemi për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve, dhe shpresojmë që të ketë sa më pak pasoja të tjera”, thuhet në reagimin e Ministres Haradinaj-Stublla, e cila në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Qeverisë së Kosovës ka shprehur gatishmërinë e plotë për çdolloj ndihmë që Kosova mund të ofrojë në këtë kohë.