Shkruan: Milazim Krasniqi
Aneksimi i Krimesë nga Rusia nxori në qarkullim edhe një krahasim të ri absurd të Kosovës me një vatër krize, si pasojë e agresionit imperial rus, me atë të Krimesë, po edhe të Ukrainës Lindore. Këtë krahasim fillimisht e lansoi vetë presidenti rus, Vladimir Putini. Ndërsa, ambasadori i tij në Tiranë, Leonid Abramovi, e ka krahasuar intervenimin e armatës së Ukrainës në lindje të vendit ndaj popullsisë rusofone, si të ngjashëm me intervenimin e armatës serbe në Kosovë! Rusët po aneksojnë, po shkaktojnë çrregullime në Ukrainë dhe pastaj po luajnë majtap, duke përmendur emrin e Kosovës!
Përveç kalkulimeve diplomatike që bëjnë rusët, kjo ka të bëjë me një defekt të madh lidhur me Kosovën: nuk është qartësuar ende sa duhet rruga e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ky është një problem serioz për shtetin tonë.
E keqja është se edhe para këtij krahasimi që bëjnë rusët me vatrat e krizave që i shkaktojnë vetë në truallin e Ukrainës, Kosova është krahasuar me lloj-lloj krizash e vendesh edhe nga aleatët e saj. Krahasime absurde janë bërë me Tirolin, me Kataloninë me dy Gjermanitë, etj. Kjo përzierje e elementeve të krizave, duke bërë përpjekje që prej tyre të shpjegohet lufta çlirimtare e Kosovës dhe rruga e shtetndërtimit të saj, e ka rritur konfuzionin ndaj saj dhe prej këndej edhe bllokimin e pranimit të saj si shtet prej shumë shteteve të botës dhe organizatave ndërkombëtare.
Megjithatë, mbetet e ngritur pyetja: a ka qenë e ngjashme me ndonjë krizë tjetër kriza e Kosovës dhe rruga e saj e shtetndërtimit? Mua më duket se po. Kosova mund të krahasohet më së miri me Algjerinë, në përpjekjet e saj për çlirim e pavarësi. Shikojini ngjashmëritë: Franca e pati aneksuar Algjerinë dhe e pati shpallur pjesë të shtetit francez, (1848) edhe pse algjerianët nuk ishin me asgjë francezë. Ashtu pati bërë edhe Serbia me Kosovën (1912.) Serbia pushtoi tokën e shqiptarëve, të cilët ishin një popull krejt tjetër me gjuhë, me kulturë, me fe e me gjithçka, ashtu sikur ishin të ndryshëm edhe algjerianët në raport me francezët. Franca pati imponuar një regjim segregues e diskriminues në Algjeri, ashtu që liritë dhe të drejtat e kolonistëve francezë nuk vlenin për “qytetarët francezë” që ishin etnikisht algjerianë. Njësoj pati bërë Serbia me shqiptarët në Kosovë. Pati sjellë kolonistë dhe u pati dhënë statusin e qytetarëve të rendit të parë, duke u dhënë privilegje të mëdha. Për të mbrojtur privilegjet e tyre, Serbia (dhe Jugosllavia) me ligj pati ndaluar madje edhe shitblerjet ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Pas fillimit të rezistencës guerile dhe asaj të armatosur algjeriane, Franca përdori Armatën në taktikat e saj të terrorit ndaj popullit algjerian. Njësoj ka bërë edhe Serbia në Kosovë, duke përdorur armatën në ushtrimin e terrorit, të vrasjeve në masë të civilëve, të djegies së vendbanimeve shqiptare dhe të spastrimit etnik. Franca pati armatosur edhe kolonistët e kolaboracionistët. Njësoj pati bërë edhe Serbia, veçmas në vitet nëntëdhjetë në Kosovë. Franca pati përdorur edhe Legjionin e të Huajve për terror e masakra ndaj popullsisë civile. Të njëjtat taktika terrori ka përdorur Serbia në vitet 1998/1999 me formacionet paramilitare, që kanë qenë të ngarkuara për të ushtruar terror e masakra ndaj popullsisë civile.
Dallimi i vetëm në këtë mes është se qytetarët francezë, iu kundërvunë politikës së terrorit e të gjenocidit të shteti të vet, kur e kuptuan dhe u deklaruan me plebishit për largimin e shtetit francez nga toka algjeriane. Dhe nga ai disponim u prodhua edhe politika e De Golit, që e pranoi realitetin me marrëveshjen e vitit 1962. Ndërsa qytetarët e Serbisë, edhe pse e kuptuan të vërtetën, masivisht u solidarizuan me politikën e shtetit të vet kundër shqiptarëve të Kosovë. Rrjedhimisht, në Serbi nuk mund të lindte një De Gol serb. Prandaj u desh intervenimi i NATO-s për ndaljen e gjenocidit të saj ndaj shqiptarëve dhe largimin e saj nga Kosova. Por, Serbia e Rusia nuk e pranojnë këtë realitet. Prandaj i luajnë letrat si t’u vjen për mbarë, duke e instrumentalizuar tregimin për Kosovën në projektet e tyre imperiale e pansllaviste.
Prandaj, politika shqiptare e Kosovës dhe politika shqiptare në përgjithësi, duhet të ndërtojë sa më shpejt një narracion të vetin lidhur me Kosovën, historinë e saj të aneksimit nga Serbia, të luftës për pavarësi dhe të çlirimit të saj. Kjo do të pengonte propaganduesit militarë rusë që të mos e përdorin në mënyrë kaq abuzive Kosovën, sa herë duan të arsyetojnë politikat e tyre të agresionit, duke i maskuar pas një shembulli krejtësisht joadekuat. Ata këtë e bëjnë për të përfituar vetë e njëherësh për ta dëmtuar Kosovën.
(P.S. Për këto pesë vjet, nuk ka reflektuar asnjë politikan i këtij vilajeti të vetëhumbur.)