Kosova shpëton nga kolapsi energjetik

Kosova nuk do të ketë kolaps energjetik. Ky problem duket se do të zgjidhet, pasi që 12 banorë kanë pranuar të shpronësohen në zonën ku planifikohet të krijohet hapësirë për mihjen e thëngjillit.

Kjo është bërë e ditur nga burime të Gazetës Fjala.

“ Është arritur një marrveshje me këtë banorë. 12 nga ta kanë pranuar që të shpronësohen dhe kjo i jep fund kolapasit energjetik”, ka thënë ky burim.

Gjatë ditës së sotme edhe ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka thënë se nuk ka hapësirë për panik, pasi që institucionet përkatëse, kanë ndërmarrë të gjitha masat që të mos ketë pengesa, sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Ndërkaq ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferat Shala tha se ministria që ai drejton i ka kryer punët që i takojnë sa i përket procesit të shpronësimeve, por sipas tij KEK-u është vonuar në këtë drejtim.

Ndërkaq kryeministri në detyrë Isa Mustafa, kërkoi nga institucionet e vendit që të marrin masa, që vendi të mos mbet pa furnizim me energji.

Krizën energjetike e ka paralajmëruar vet drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj sipas të cilit nëse nuk veprohet Kosova do të mbes në terr.