ërfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka arritur të mërkurën mbrëma fitoren më të madhe deri më tani. Në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Kosova fitoi ndaj Zvicrës me rezultat të lartë, 76:49.
Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të tretë të parakualifikimeve për Eurobasket 2025. Zvicra është vlerësuar favorite, por është dukur përfaqësuese e vogël përballë Kosovës.
Te Kosova ka debutuar selektori Rami Hadar, që u vlerësua se ka bërë punë shumë të mirë me përfaqësuesen. Loja e Kosovës ka ndryshuar shumë në krahasim me të kaluarën dhe kjo edhe solli fitoren e lartë.
Që në çerekun e parë, Kosova dëshmoi që ka ndryshuar shumë. Loja ishte e barabartë, ndërsa Hadar bëri ndryshime të shumta në kërkim të pesëshes më të mirë. Dallimi i madh u bë në çerekun e dytë, të cilin Kosova e fitoi bindshëm, 23:8. Shfaqje e njëjtë vazhdoi edhe në çerekun e tretë, të cilin Kosova e fitoi 27:14. Ndërkohë çereku i katërt, që më shumë ishte formalitet, u fitua 11:8 nga Zvicra.
Kosova ka shfaqur nivel të lartë sidomos në mbrojtje, ndërsa ka realizuar shumë pikë edhe përmes kundërsulmeve.
Drilon Hajrizi udhëhoqi Kosovën me 14 pikë, 12 kërcime e dy asistime. Amerikani i natyralizuar, Dominic Artis, ndeshjen e mbylli me 19 pikë e gjashtë asistime. Kapiteni Dardan Berisha i kishte 20 pikë. Lojë të mirë shfaqi edhe Dardan Kapiti, që kontribuoi me 11 pikë e gjashtë kërcime.
Toni Rocak u dallua te Zvicra me 12 pikë e gjashtë kërcime.
Zvicra ndeshjen e ardhshme e luan pas tri ditësh. E pret Danimarkën. Ndërkohë Kosova luan në udhëtim ndaj Danimarkës më 26 korrik. Vetëm fituesi i grupit avancon në kualifikimet e rregullta.