Kosova shënon rritje të turizmit në gjashtë muajt e parë të vitit 2024

Kosova ka shënuar rritje të numrit të turizmit në gjashtë muajt e parë të vitit 2024. Në Ditën Botërore të Turizmit, u tha se vendi tashmë është bërë një destinacion turistik për të huajt.

Në shënimin e kësaj dite, kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti, tha se rritja e turizmit ka qenë për 24.6 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit dhe se pret që i njëjti trend të jetë edhe në pjesën e mbetur të vitit 2024.

“Kosova tashmë nuk është vetëm një rrugë kalimi për vizitorët, por është destinacion turistik. Për fat të mirë gjashtë mujori i parë i vitit 2024 ka shënuar një rritje të vazhdueshme. Sa i përket numrit të turistëve ndërkombëtarë kemi rritje mbi 24.6 për qind të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë që po e vizitojnë Kosovën. Lajm i mirë është se kemi edhe rritje të netëve qëndrimeve. Vizitorët kemi arritur t’i ndalim dhe të qëndrojnë më gjatë në Kosovë. Kjo fal festivaleve edhe aktiviteteve të cilat po zhvillohen dhe atraksioneve turistike që po shtohen”, tha ai.

Rritjen e numrit të turistëve e mirëpriti zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi, e cila tha se Kosova ka dyert e hapura për vizitorët e huaj.

Ajo tha se Kosova ka një pozicion ideal për t’u bërë një qendër e turistëve që dëshirojnë të eksplorojnë.

“Kosova në bazë të pozitës së saj gjeografike ndodhet në zemër të Ballkanit. Kjo na vendos në një pozicion ideal për t’u bërë një qendër te turistët që dëshirojnë të eksplorojnë në këtë vend të Evropës. Vendi ynë ka burime natyrore, unike, male, lumenj, liqene si dhe një histori dhe kulturë të pasur”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se kryeqyteti ofron një pasuri të madhe kulturore dhe bukuri natyrore për turistët.

“Prishtina si një kryeqytet që ofron një pasuri të madhe kulturore dhe historike është e interesuar që të jetë pjesë e këtyre proceseve. Përveç që ka një traditë mikpritëse, atmosferë të gjallërishme ka edhe shumëçka tjetër për t’i ofruar vizitorëve dhe turistëve që na vizitojnë në kryeqytet. Po ashtu për bukuritë natyrore që i kemi jo vetëm në zonat urbane përmes festivaleve por edhe të natyrës së mrekullueshme të gollakut. Kemi një numër të madh të monumenteve historike, po ashtu e kemi edhe makiaton më të mirën në botë, po na pranojnë edhe italianët”, tha Rama.