Ballina Lajmet Kosovë Kosova shënon 101-vjetorin e Republikës së Turqisë

Kosova shënon 101-vjetorin e Republikës së Turqisë

Me qindra pjesëmarrës, është shënuar në Prishtinë 101-vjetori i Republikës së Turqisë, raporton Anadolu.

Në një ceremoni të organizuar nga Ambasada e Türkiyes në Prishtinë, morën pjesë udhëheqës të institucioneve të larta në Kosovë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, deputetë të Kuvendit të Kosovës, krerë të partive politike, ushtarakë, udhëheqës fetarë, mësimdhënës dhe pjesëtarë të komunitetit turk në Kosovë.

Para të pranishmëve, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se për të mbajtur Republikën kërkon qëndrueshmëri, shpresë dhe vullnet të fortë.

Angılı theksoi se populli turk i shfaqi të gjitha këto cilësi pas sulmit terrorist që ndodhi më 23 tetor në Ankara.

“Festimi i përvjetorit të Republikës tonë këtu në Kosovë ka gjithashtu kuptim të veçantë për ne. Kosova mund të jetë një vend i vogël në kuptimin e madhësisë gjeografike, por është vend që në zemrat e popullatës turke është shumë i madh. Ne me të vërtetë ndihemi këtu si në shtëpinë e dytë, për shkak të lidhjeve tona të thella”, theksoi Angılı.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky përvjetor i Republikës së Turqisë po mbahet në kohë të vështirë, pas sulmit terrorist të këtij muaji.

Kurti theksoi se është krenar që në qeverisjen e tij, është ngritur bashkëpunimi midis Kosovës dhe Turqisë në katër vitet e fundit.

“Në të vërtetë, industria turke e mbrojtjes është bërë esenciale jo vetëm për sigurinë e Türkiyes, por edhe për tonën po ashtu”, theksoi Kurti.

Kryeministri kosovar tha se Turqia është vend shumë i fuqishëm i NATO-s, pjesë e së cilës aspiron të bëhet edhe Kosova.

Exit mobile version