Kosova rrezikon t’i humbas fondet ndërkombëtare, paralajmërohet ulja e pagave në sektorin publik

Kosova rrezikon t’i humbë rreth 300 milionë euro nga marrëveshjet financiare ndërkombëtare nëse vazhdohet kështu të kundërshtohet ratifikimi në kuvend.

Ministria e Financave paralajmëron uljen e pagave në sektorin publik përfshirë këtu edhe pagat e deputetëve që aktualisht kanë mbi 2 mijë euro.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, në një intervistë ka thënë se në rast se këto marrëveshje financiare nuk kalojnë, duhet rishkruar ose rikthyer rishikimin e buxhetit, që nënkupton zvogëlimin e shpenzimeve ose zvogëlimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Krasniqi ka thënë se pa u votuar rishikimi i buxhetit 2020, nuk do të zbatohet as pakoja për rimëkëmbje ekonomike e as pakoja emergjente fiskale.

“Pjesë e rishikimit është edhe pakoja shtesë prej 620 milionë euro. Në rast se këto marrëveshje nuk kalojnë, atëherë duhet rishkruar ose rikthyer rishikimin e buxhetit, që nënkupton zvogëlimin e shpenzimeve. Këto shpenzime ose duhet me i zvogëluar shpenzimet e rregullta ose duhet me zvogëluar pjesën që ka të bëjë me pakon për rimëkëmbjen ekonomike. Të dyja janë të dhimbshme”, thotë Krasniqi.

Ai më tej ka thënë se disa prej pesë marrëveshjeve financiare ndërkombëtare që janë duke pritur për ratifikim që prej shumë kohesh, rrezikohen të humbin fondet dhe të pësoj ekonomia e Kosovës.