Institucionet qendrore po e rrezikojnë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën edhe për vitin 2017, thonë njohësit e integrimeve evropiane.
Ata konsiderojnë se Kuvendi dhe Qeveria, po dështojnë në përmbushjen e një prej kritereve substanciale të përcaktuara nga Bashkimi Evropian në procesin e liberalizimit të vizave, siç është rasti me ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit më Malin e Zi.
Profesor i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, tha për Radion Evropa e Lirë se autoritetet nuk kanë treguar vullnet politik në përmbushjen e kritereve reale për liberalizim të vizave.
Sipas tij, përderisa qasja e Qeverisë së Kosovës dhe qasja e vendimmarrësve në Kosovë është krejt deklarative, askush nuk mund të ndihet komod se në vitin 2017, do të ketë liberalizim.
“Kosova duke mos pasur qasje konstruktive e profesionale, por edhe qasje që vjen si rezultat i një konstruktiviteti politik në procesin e qasjes, e ka humbur atë momentin kyç të përmbushjes së kritereve e që përmbushja e kritereve nënkupton edhe stabilizimin politik, ekonomik dhe juridik të vendit”.
“Kosova ka mungesë të stabilitetit politike si pasoj e zhvillimeve politike”, tha Mazrekaj duke shtuar se vendi nuk ka as stabilitet makro-ekonomik dhe është larg rajonit dhe vendeve anëtare të BE-së.
Mazrekaj thotë po ashtu se Kosova duhet të punoj shumë edhe në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, si kriter shumë me rëndësi jo vetëm për fushën e sundimit të ligjit në vend, por edhe për procesin e liberalizimit të vizave.
“Kosova është okupuar më shumë me zhvillimet e brendshme politike, por e vërteta është se zhvillimet politike duhet me qenë në funksion të përmbushjeve së këtyre kritereve. Përmbushja e këtyre kritereve të akcesionit, nënkupton efekt të drejtpërdrejt të zhvillimeve brenda vendit”, vlerëson Mazrekaj.
Nga ana tjetër, Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se për të ecur tutje drejt liberalizimit të vizave duhet të ketë një konsensus politike për çështjet të cilat kanë mbetur pezull e të cilat janë të rëndësishëm në këtë proces.
Ai mendon se nëse arrihet një konsensus brenda skenës politike, çështja e liberalizmit mund të trajtohet në instancat kompetente.
“Nëse mbetet pezull do të jetë problematike dhe do të ketë një argument shtesë nga Bashkimi Evropian për mos liberalizmin e vizave dhe po ashtu do të ketë një tension të vazhdueshme në Kosovë”, thotë Gashi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pranuar se aktualisht koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Sa më shumë që ka probleme të brendshme politike në Kosovë dhe mos angazhim të duhur, çështja e liberalizimit të vizave do të vonojë, thotë profesor Emrush Ujkani,njohësi i çështjeve integruese evropiane.
“Askush nuk mund ta marr të sigurt faktin që nëse edhe në vitin tjetër vazhdohet kështu, do të thotë të mos adresohen çështjet, se mund të kemi një epilog më të mirë. Personalisht jam skeptik rreth kësaj edhe për vitin tjetër, apo edhe një kohë më të gjatë derisa kemi një konfuzion të tillë të brendshme nga lidershipi ynë”, vlerëson Ujkani.
Njohësit e integrimeve evropian kanë kritikuar drejtuesit e Qeverisë së Kosovës se nuk po merren siç duhet dhe seriozisht me çështjen e liberalizmit te vizave. Ata thanë po ashtu se aktualisht Kosova nuk ka as ministër të Integrimeve Evropiane.
Lidhur me ketë çështje, kritika bën edhe deputeti Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Është fatkeqësi që ka më shumë se dy muaj që Kosova nuk ka ministër të Integrimeve Evropiane i cili do të duhej që të merrej në mënyrë konstante me liberalizimin e vizave dhe me çështje tjera të cilat kanë të bëjnë me interesat e Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha Gashi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë këto ditë po ashtu se “mesazhet e Bashkimit Evropian janë të qarta dhe se liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës është në duart tona”.