Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të mërkurën 221 raste të infektimit me koronavirus, pas testimit të 3,160 mostrave.
Pjesa më e madhe e të infektuarve janë të moshave nga 20 deri në 39 vjeç.
Përgjatë 24 orëve të fundit, është regjistruar një viktimë nga Prishtina.
IKSHPK-ja ka njoftuar se më 4 gusht janë shëruar 21 pacientë nga sëmundja COVID-19, ndërsa raste aktive janë 888.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 108,844 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,268 kanë vdekur.
Në Kosovë tashmë ka nisur programi i vaksinimit masiv kundër koronavirusit.
Në këtë vend ka vaksina të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeenca.
Në 24 orët e fundit ndonjërën nga këto vaksina kanë marrë 14,616 persona.
Numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka shkuar në 162,807, ndërsa shifra totale e vaksinave të dhëna është 460,297. /rel