Kosova prin në rajon me numrin më të madh të qytetarëve të prekur me tuberkuloz. Së paku 700 persona kanë qenë të prekur me tuberkuloz vetëm vitin e kaluar, derisa numri i të prekurve konsiderohet të jetë i madh edhe këtë vit.
Ndonëse konsiderohet si sëmundje e shërueshme, mosidentifikimi i saj me kohë konsiderohet i rrezikshëm, shkruan sot Gazera Zëri.Drejtoresha në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës (QKUK), Ilirjana Raça Bunjaku, në një prononcim dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë se nëse sëmundja e tuberkulozit nuk diagnostikohet me kohë, atëherë ajo mund të jetë e rrezikshme për shëndetin e pacientëve. Sipas saj, kjo sëmundje është infektive dhe përcillet edhe te anëtarët tjerë të familjes.
“Sëmundja e tuberkulozit me vetë faktin se është sëmundje që shërohet nuk është e rrezikshme. Ministria e Shëndetësisë qe disa vite më parë së bashku me fondin ‘Global’ ka marrë një sërë masash adekuate. Në çdo qendër rajonale spitalore dhe kuptohet edhe në Prishtinë janë dispanzeret antituberkulare të furnizuara me terapi adekuate, e cila distribuohet falas te pacientët”, ka thënë ajo.