Një ditë pas finales të Kupës në basketboll, Përfaqësuesja e Kosovës ka nisur grumbullimin për ndeshjet e para të parakualifikimeve për Botërorin 2027.
Të dielën, selektori Rami Hadar ka nisur punën e tij për ta përgatitur sa më mirë ekipin për dy ndeshjet e këtij muaji. Hadar po mbanë nga dy stërvitje në ditë me lojtarët vendor dhe synon të startoj me fitore në këto parakualifikime. Kosova, të enjten përballet me Irlandën në Prishtinë, ndeshje kjo që nis në orën 19:00.
Tri ditë pas duelit me Irlandën, Kosova do të luaj në udhëtim te Azerbajxhani. Selektori Hadar në fillim të këtij muaji, ka publikuar listën e zgjeruar prej 17 basketbollistëve, e cila do të reduktohet në 12 për këto ndeshje.
Për herë të parë është ftuar Jan Palokaj, i cili është pjesë e Golden Eagle Yllit, ndërsa pritet të mungoj qendra Lis Shoshi për shkak të lëndimit. Po ashtu, amerikani i natyralizuar Dominic Artis pritet ti bashkohet ekipit para ndeshjes me Irlandën.
Pjesë e Grupit A, ku bën pjesë Kosova është edhe Zvicra. Pas dueleve të këtij muaji, Kosova nuk do të luaj në këto parakualifikime deri në nëntor të këtij viti, ndërsa në shkurt të vitit të ardhshëm do ti ketë dy ndeshjet e fundit në grup.
Dy vendet e para në grup, do të avancojnë në raundin e dytë të parakualifikimeve për Botërorin 2027, ndeshjet e të cilit do të luhen në verën e vitit të ardhshëm.