Kosova përballet me Hungarinë

Pas fitores ndaj Armenisë në miqësoren e parë të këtij muaji, Kombëtarja e Kosovës synon rezultat pozitiv edhe në përballjen e dytë.

Megjithatë, këtë herë, Kosova do ta ketë një kundërshtar dukshëm më të vështirë se Armenia, të cilën e mposhti 1:0 të premten e shkuar në Yerevan.

Sot, prej orës 19:00, Kosova luan kundër Hungarisë në stadiumin “Puskas Arena” në Budapest. “Dardanët” kanë mbajtur dy stërvitje në Hungari para miqësores, të cilën e kanë vlerësuar si shumë të fortë dhe të vështirë.

Për dallim prej Armenisë, Hungaria është kualifikuar në Kampionatin Evropian që mbahet këtë verë në Gjermani. Selektori i Kosovës, Franco Foda ka besim në ekipin e tij.

Në konferencën për shtyp, Foda ka pranuar forcën e Hungarisë dhe ka thënë se nuk do të jetë lehtë të luajnë ndaj një ekipi të tillë. Mirëpo, ka insistuar se Kosova duhet të përballet me kundërshtarë të tillë për të dëshmuar veten.

“Ne duhet të përballemi me skuadra të nivelit të Hungarisë, që është e kualifikuar në kampionatin Evropian sepse edhe synimi ynë është të kualifikohemi. Pavarësisht sa kombëtare e fortë është Hunagria, ne do të luajmë me vetëbesim”, ka thënë Foda.

Në stërvitjen e fundit, të mbajtur të hënën mbrëma, Kosovës në stërvitje i mungoi Leart Paqarada dhe paraqitja e mbrojtësit të majtë mbetet në dyshim.

Megjithatë, është rikthyer kapiteni Amir Rrahmani, i cili shkaku i një shqetësimi mungoi ndaj Armenisë. Me rikthimin e Rrahmanit, mbrojtja e Kosovës do të jetë edhe më e fortë, ndërsa Foda nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha në formacion për duelin me Hungarinë.

Kapiteni Rrahmani e ka vlerësuar si tejet të rëndësishëm përballjen me Hungarinë.

“Ndeshja me Hungarinë eështë shumë e rëndësishme për ne, pasi do të na ndihmoj që të përgatitemi për ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe të kuptojmë idetë e trajnerit. Jemi të vetëdijshëm se do të zhvillojmë një ndeshje me një kombëtare shumë të fortë evropiane”, ka thënë Rrahmani.

Stadiumi në Budapest do të jetë i stërmbushur, pasi janë shitur të gjitha biletat për miqësoren Hungari – Kosovë.

Për Kosovën, miqësoret e marsit shihen si testet e parafundit për Ligën e Kombeve, garë që nis në muajin shtator. “Dardanët” edhe në muajin qershor do t’i luajnë dy miqësore por deri më tani e kanë të aranzhuar vetëm një.

Më datën 5 qershor, Kosova do të përballet me Norvegjinë në Oslo.