Kosova pa unitet politik, reflektohet edhe në qasjet e ndryshme të BE-së dhe SHBA-së

Mos uniteti i faktorit politik në Kosovë, po reflekton edhe në qasjet e kundërta të BE-së dhe SHBA-së karshi zgjidhjes së problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se përderisa nuk ka unitet politik në Kosovë do të jetë shumë e vështirë që partnerët ndërkombëtarë në BE dhe SHBA të kenë qasje unike ndaj nesh.

Për më shumë se një dekadë BE ndërmjetësoi dialogun mdërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa ndonjë rezultat konkret. Faton Abdullahu, analist politik, flet për Radio Kosovën për qëndrimin e BE-së për sa i përket zhvillimeve në Kosovë, që dallon shumë nga qëndrimi amerikan, i cili shihet se ka një qasje më të përshpejtuar për arritjen e zgjidhjeve. Por mungesa e unitetit politik në Kosovë, thotë Abdullahu, po reflekton edhe në politikat ndërkombëtare karshi Kosovës:

“Përderisa ne si institucione të Kosovës, si subjekte politike brenda vendit, nuk jemi unikë për shumë çështje, sidomos kohëve të fundit,  tash një vit nuk jemi unikë në raport me taksën, e kemi shumë të vështirë dhe ua bëjmë shumë më të vështirë që partnerët tanë qoftë të BE-së, qoftë SHBA-së që të kenë qasje unike ndaj nesh, ngase ne vetë nuk jemi unik”.

Abdullahu tha se faktori politik në Kosovë është i ndarë edhe karshi qasjeve që partnerët ndërkombëtarë kanë ndaj Kosovës.

“Ka liderë politikë të cilët më shumë i preferojnë disa vende të Evropës apo disa forca apo rryma e mendësi politike në Bashkimin e Evropian sesa që e preferojnë Uashingtonin, përkatësisht administratën e Trumpit, në anën tjetër ka forca politike dhe institucione në Kosovë të cilat preferojnë më shumë administratën Trump si partner i parë për të zgjidhur problemet në Kosovë e jo BE-në, dhe kjo qasje po e ushqen në një farë mënyrë edhe përçarjen apo paaftësinë për të pasur qëndrime  unike në shumë sfera e sidomos në përballje me Serbinë”.

Ndërsa Imer Mushkolaj i tha Radio Kosovës se pas një dekade të humbur nga BE-ja tani është aktivizuar ShBA-ja në procesin e dialogut, e cila mund ta ketë edhe rolin kryesor:

“Bashkimi Evropian e ka humbur besimin se mund të jetë një ndërmjetësues i mirë, ose garantues i një marrëveshje, duke pasur parasysh që edhe qytetarët e Kosovës dhe në përgjithësi Kosova i beson më shumë SHBA-së sesa BE-së, në fakt të presin që administrata amerikane të merret seriozisht dhe ta gjejnë një zgjidhje për problemin që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mushkolaj në këtë kuadër kritikon edhe mos unitetin e faktorit politik  në Kosovë, duke theksuar se një situatë e tillë ka bërë që Kosova edhe në pozicionin e saj negociues dhe si subjektivitet ndërkombëtar të jetë e dobët”, tha ai.