Ballina Sport Basketboll Kosova nuk ia del dot përballë tri herë kampionit të Evropës

Kosova nuk ia del dot përballë tri herë kampionit të Evropës

Kosova ka pësuar humbje në ndeshjen e parë kualifikuese të botërorit “Kina 2019” kundër ish-kampionit të Evropës.

Basketbollistët tanë nuk arritën të fitonin para shikuesve të vetë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë kundër Lituanisë.

“Dardanët” i befasuan kundërshtarët që ishin super favoritë, duke u shkaktuar probleme në njëzet minutshin e parë.

Në çerekun e parë përfaqësuesja e Kosovës ishte më e mirë se mysafirët duke e përmbyllur këtë periudhë me një pikë avantazh, 21:20.

Edhe çereku i dytë ishte i mirë për skuadrën tonë duke treguar cilësi të mirë në sulm dhe mbrojtje të çeliktë, e cila rezultoi që “super” lituanezët të ndalen në barazim, 35:35.

Por, në pjesën e dytë vardhegjelbërit treguan pse i kanë fituar në të kaluarën tri kampionate.

Periudha e tretë ishte fatale për skuadrën tonë pasi që erdhi në shprehje përgatitje fizike dhe shpërqendrimi i lojtarëve tanë, ku çerekun e tretë mysafirët e përfunduan me epërsi prej 14 pikëve.

Çereku i katërt ishte edhe më i dobët për lojtarët tanë pasi që Lituanezët ndeshjen e përfunduan me 38 pikë epërsi, përkatësisht me rezultat 99:61.

Basketbollisti më efikas te Kosova ishte Dardan Berisha me 19 pikë ndërsa te lituanezët më i miri në fushë ishte Antonio Jasikevicius me 16 pikë.

Pas kësaj, Lituania zë pozitën e parë të renditjes tabelore të Grupit C me dy pikë, po aq sa ka edhe Polonia, e cila triumfoi kundër Hungarisë me rezultat 70:60.

Kujtojmë se në takimin e radhës Kosova do të jetë mysafire e kombëtares së Hungarisë ndërsa Lituania do ta pres para shikuesve të vetë Poloninë.

Exit mobile version