Kosova në flakë, dhjetëra vatra zjarri vetëm sot

Dhjetëra raste të zjarreve kanë ndodhur vetëm gjatë ditës së sotme përskaj magjistrales Prishtinë-Pejë, raporton Indeksonline.

Situata është tejet shqetësuese ndërkohë autoritetet e sigurisë po përgatisin plan veprimi për parandalimin apo lokalizimin e zjarreve.

Vetëm gjatë ditëve të fundit janë raportuar 326 raste të zjarreve, prej të cilave aktive vazhdojnë të jenë njëmbëdhjetë, përfshirë edhe zjarrin në bjeshkën e Lybeniqit të Pejës për të cilin rast raportoi më herët Indeksonline.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mëngjesin e sotëm ka takuar përfaqësuesit e mekanizmave të sigurisë në vend, nga të cilët ka kërkuar nga ta koordinim, si dhe informim në kohë reale për situatën e zjarreve në territorin e Kosovës.

“Gjatë ditëve të fundit jemi ballafaquar me 326 zjarre, prej të cilave aktive vazhdojnë të jenë njëmbëdhjetë. Mëngjesin e sotëm kam takuar përfaqësuesit e mekanizmave të sigurisë në vend dhe kam kërkuar nga ta koordinim si dhe informim në kohë reale për situatën e zjarreve në territorin e Kosovës”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Haradinaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar, në mënyrë që të mos ketë situata të pakontrolluara.

“I falënderova krerët e mekanizmave të sigurisë si dhe KFOR-in për reagimin e shpejtë dhe profesional në menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar, që të mos ndodhemi në situata të pakontrolluara”, ka shkruar ai.

Apel kundër ndezjes së zjarreve në ambient të hapur ka bërë edhe Policia e Kosovës e cila në raportin e fundit 24 orësh kishte evidentuar shtatë raste të zjarreve.