Kosova mposhtet nga Hungaria

Kosova u mposht nga Hungaria në miqësoren e zhvilluar në Budapest.

Dardanët humbën me rezultatin e pastër 2-0 me të dy golat që u shënuan në pjesën e dytë.

Fillimisht ishte ylli i Liverpool, Dominik Szoboszlai që do të zhbllokonte rezultatin në minutën e 58’, ndërsa në të 86’ ishte Nagy që vulosi fitoren e vendasve.

Trajneri i “Dardanëve” Francoi Foda ka folur në përfundimin e ndeshjes, duke lënë të kuptohet se ishte i kënaqur me skuadrën deri para golit të parë.

“Deri në minutën e 60’ isha shumë i kënaqur. Në pjesën e parë kishim mundësitë më të mirë për shënim. Por, në pjesën e dytë pranuam gol që nuk bën të pësohet në këto nivele.

Duhet të mësohemi që pas pësimit të një goli të tillë, kishte edhe 30 minuta, dhe mund të barazonim. Më pas pësuam edhe të dytin, dhe ndeshja mbaroi.

Lojtarët patën mundësinë të tregonin veten. Jam i kënaqur me secilin lojtar, edhe me ata që erdhën nga pankina. Kemi mundësi të përmirësohemi.

Skuadra u mundua t’i zbatonte urdhrat dhe ato që u kërkova unë. Bëmë presing, fituam shumë topa dhe krijuam raste. Ndonjëherë kemi humbje të lehta të topit, si te goli i parë. Nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë.

Performancën që bëmë për 60 minuta, duhet të mësohemi ta bëjmë për 90 minuta, por nuk jemi ende në atë nivel. Kjo është shumë e rëndësishme, duhet të përmirësohemi në këtë drejtim.

Për të arritur kualifikimet në Botëror apo Europian, ne duhet të performojmë për 90 minuta. 60 minuta nuk mjaftojnë.

Lojtarët e ardhur nga stoli? Gjithmonë shpresa është që të përmirësohet loja me zëvendësimet që bëjmë. Humbëm topa, atë priste Hungaria, nuk bën të ndodhë më një gjë e tillë”, u shpreh trajneri Foda.