Kosova mbetet edhe pa Rrudhanin

Listës së mungesave të shumta te Kombëtarja e Kosovës, i është shtuar edhe një emër tjetër.

Pas Milot Rashicës, Ermal Krasniqit, Bersant Celinës e Lerat Paqaradës, “Dardanëve” në ndeshjet e këtij muaji të Ligës së Kombeve, do t’i mungoj edhe Donat Rrudhani.

Rrudhani mungoi në stërvitjen e së mërkurës pas lëndimit të pësuar një ditë më herët dhe pas ekzaminimeve mjekësore është konfirmuar lëndimi i tij, duke u liruar nga grumbullimi.

“Në seancën e sotme mungoi Donat Rrudhani, i cili pësoi lëndim në stërvitjen e djeshme dhe pas ekzaminimeve mjekësore u lirua nga grumbullimi. Përkundër mungesave të rëndësishme si pasojë e lëndimeve, atmosfera brenda kampit të dardanëve mbetet pozitive dhe optimiste”, ka shkruar FFK-ja në njoftimin e saj të mërkurën.

Rrudhani ishte njëri prej kandidatëve kryesor për ta zëvendësuar Paqaradën në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa mungesa e tij do të shtoj edhe më shumë brengat e selektorit Franco Foda sa i përket formacionit.

Rrudhani ka debutuar me “Dardanët” në qershor të vitit 2021, ndërsa deri më tani ka regjistruar 14 paraqitje dhe ka shënuar 2 gola.