Mos zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe arrestimi i një zyrtari të lartë të Policisë së Kosovës, kanë krijuar tensione dhe vështirësi në raportet ndërmjet ekipeve dialoguese të Kosovës dhe Serbisë.
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i tha Radios Evropa e Lirë se bisedimet me palën serbe gjithmonë kanë qenë të vështira, por kohët e fundit ato janë vështirësuar edhe më shumë, pas zhvillimeve të fundit. Ajo theksoi se Serbia, duke u munduar të ketë juridiksion përtej kufijve të vet, po rrit tensione dhe brenda ekipeve dialoguese mes Kosovës dhe Serbisë.
Tensionet u rritën në veçanti pas arrestimit të drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, në vendkalimin kufitar në Konçul dhe vënies së masës së paraburgimit prej 30 ditësh nga një Gjykatë e Lartë në Nish të Serbisë. Në Bruksel, ndërkaq, negociatorët serbë ‘bllokuan zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik për Kosovën’, siç thanë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Ndaj, Tahiri kërkoi nga garantuesit e bisedimeve që të ndërmarrin masa për, siç tha ajo, “sjelljet e Serbisë”.
“[Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të angazhohen më shumë, por edhe Bashkimi Evropian të angazhohet më shumë, sepse të dy partnerët janë garantues të këtij dialogu, kurse BE është edhe ndërmjetësuese”, tha Tahiri.
Autoritetet në Beograd kanë fajësuar Prishtinën zyrtare për, siç thonë, “mosgatishmëri në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog”. Mediat serbe kanë cituar drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të ketë akuzuar, siç thuhet, “përfaqësuesit në Prishtinë për pengim të lëvizjes së lirë”.
Ndërkohë, analistët në Kosovë thonë se dialogu “jo vetëm që mund të tensionohet, por ai nuk mund të ketë kurrfarë rezultati’ nëse, siç thonë ata, vazhdojnë arrestimet e qytetarëve të Kosovës”.