Sipas një raporti të Bankës Botërore që u publikua dje, Kosova gjatë vitit të kaluar ka humbur rreth 17 mijë vende të punës. Përderisa opozita fajëson Qeverinë, kryeministri Ramush Haradinaj ka mohuar të jetë rritur papunësia, ai madje ka pohuar se në Kosovë ka ulje të papunësisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndonëse Kosova vazhdon të kryesojë me rritjen më të madhe ekonomike në vendet e rajonit, gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë humbur rreth 17 mijë vende të punës.Kështu thotë raporti i Bankës Botërore, i cili u publikua dje.
Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, theksoi se numri i të punësuarve është zvogëluar dhe prodhimi në vend nuk ka krijuar vende të reja të punës, duke shtuar se rritja ekonomike prej 4,2 për qind është e cenueshme, pasi ka qenë e shtyrë nga investimet publike dhe ato private.