Të mërkurën në Prishtinë ka nisur Kampionati Evropian i Basketbollit për grupmoshën U16. Bëhet fjalë për Divizionin C, që është niveli i tretë kontinental për basketbollistët e rinj.
Në nismë Kosova ka shënuar fitore shumë të thellë. Fitoi ndaj Maltës me rezultatin 103:53. Ndeshja është luajtur të mërkurën pasdite në palestrën “1 Tetori”.
Dallimi në cilësi i dy përfaqësueseve ishte i madh. Çerekun e parë basketbollistët e Kosovës e fituan 24:6. Në çerekun e dytë rezultati ishte 23:15 në të mirë të Kosovës, që e dominoi edhe çerekun e tretë, 31:18. Çereku i katërt përfundoi 25:14 në të mirë të Kosovës.
Mal Tusuni ishte më i miri te Kosova me 17 pikë e 13 kërcime. Yll Kastrati kontribuoi në fitoren e thellë me 26 pikë e nëntë kërcime. Lis Binishi i kishte 14 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime. Erdin Abazxhik i kishte nëntë pikë e plot 17 kërcime, ndërsa Enes Gashi realizoi 11 pikë.
Në ndeshjen tjetër të grupit A, Andorra fitoi 125:50 ndaj Gjibraltarit. Ndërkohë në grupin B, Qiproja fitoi 65:51 ndaj Azerbajxhanit. Në Grupin B janë edhe Shqipëria, Armenia e San Marino.
Të premten prej orës 20:00, Kosova luan me Gjibraltarin. Ndeshjen vendimtare në grup e ka të hënën, kur përballet me Andorrën.
Javën e kaluar përfaqësuesja U20 e Kosovës në basketboll përfundoi e 11-ta në Evropianin e Divizionit B të mbajtur në Shkup. Ishin 20 përfaqësuese pjesëmarrëse.
Në Divizionin B, nivelin e dytë, garojnë edhe basketbollistët e Kosovës U18. Evropiani B i grupmoshës U18 mbahet në Portugali. Kosova U18 ndeshjen e parë e ka të premten prej orës 19:00. Përballet me Estoninë. Në kuadër të grupit C luan edhe me Holandën, Rumaninë, Irlandën e Ukrainën.