Me fishkëllima e brohoritje “marre, marre” e jashtë, jashtë”, futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës u larguan nga stadiumi “Fadil Vokrri” pas humbjes së pësuar një muaj më herët nga Rumania 3:0. Por të martën, lojtarët e Kosovës u larguan me duartrokitje nga fusha e stadiumit në Prishtinë. “Dardanët” shënuan fitore 3:0 ndaj Qipros në Ligën e Kombeve, në stadiumin e stërmbushur me shikues. Ishte fitorja e dytë për Kosovën. Kosova të shtunën mposhti Lituaninë 2:1. Me fitoren ndaj Qipros, Kosova është forcuar në vendin e dytë me nëntë pikë në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Rumania është e para me 12 pikë, kurse Qipro mbetet në vendin e tretë me tri pikë. Lutuania është fundit pa pikë.
Qartë që Qiproja nuk ishte kundërshtar i nivelit të Rumanisë. Kosova dominoi plotësisht në përballjen ndaj Qipros.
Golin e parë e shënoi kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Ai shënoi nga afërsia në minutën e 30-të. Pranoi një top, kaloi një kundërshtar dhe me goditje të saktë mposhti portierin e Qipros. Ai u asistua nga Florent Muslija, që u inkuadrua në minutën e 16-të në vend të Milot Rashicës, që u ankua për një lëndim.
Me të nisur pjesa e dytë, Kosova kërkoi edhe golin e dytë, të cilin e arriti në minutën e 52-të. Ermal Krasniqi shënoi gol me goditje të saktë për 2:0, kurse zëvendësuesi Emir Sahiti realizoi golin e tretë për “Dardanët”. Ai shënoi pas topit të kthyer nga portieri, i cili priti gjuajtjen e Albion Rrahamnit. Sahiti në fushë u inkuadrua në minutën e 67-të, ndërsa golin e shënoi në minutën e 71-të. Të përzgjedhurit e selektorit Franco Foda patën edhe disa raste të mira shënimi. Por gjatë 90 minutave shënuan vetëm tri gola. Qipros iu anulua një gol.
Kosova në nëntor i luan dy ndeshjet e fundit të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve. Më 15 nëntor e luan ndeshjen më të rëndësishme kundër Rumanisë, kurse më 18 nëntor e pret Lituaninë në “Fadil Vokrri”.
Kosova ndaj Rumanisë në Prishtinë humbi 3:0. I duhet ndeshje e madhe ndaj Rumanisë në Bukuresht për të shpresuar në fitore dhe kualifikim në Ligën B të Ligës së Kombeve