Kosova dhe Shqipëria bien në ranglistën e FIFA-s

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka rënë për një pozitë në ranglistën e FIFA-s, të publikuar të enjten.

Prej pozitës së 101-të, Kosova ka rënë në pozitën e 102-të, me 1202 pikë të tubuara.

Krahas Kosovës, rënie në ranglistën më të re të FIFA-s, ka pësuar edhe Kombëtarja e Shqipërisë. Në fakt, Shqipëria ka rënë për dy pozita dhe tani zë vendin e 64-të me 1382 pikë të mbledhura. Për një pozitë ka rënë edhe Zvicra, pjesë e së cilës janë Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.

Sa i përket vendit të parë në ranglistës më të re të FIFA-s, atë e mbanë kampionia e botës, Argjentina me 1855 pikë.

Në vendin e dytë është Franca me 1845 pikë, e ndjekur nga Anglia me 1800 pikë. Në pozitën e katërt dhe të pestë, janë Belgjika, përkatësisht Brazili.