Kosova dhe EFTA nënshkruajnë marrëveshjen e parë të tregtisë së lire

Kosova dhe Shoqata Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) kanë nënshkruar marrëveshjen e parë për tregti të lire.

Kjo marrëveshje është nënshkruar sot në margjinat e Takimit Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, në një ceremoni të organizuar nga Zvicra.

Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka shkruar se ky moment historik nënvizon përkushtimin për të nxitur rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e mundësive për bizneset dhe konsumatorët.

“MTL EFTA–Kosovë mbulon tregtinë e mallrave, barrierat teknike në tregti dhe masat sanitare dhe fitosanitare, tregtinë e shërbimeve, të drejtat e pronësisë intelektuale, lehtësimin e tregtisë, mjetet juridike tregtare, konkurrencën, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe dispozitat ligjore dhe horizontale. Kjo marrëveshje gjithashtu përforcon vlerat e përbashkëta të zhvillimit dhe inovacionit të qëndrueshëm dhe është një dëshmi e partneritetit të tyre ekonomik”, thuhet në njoftim.

Marrëveshja u arrit pas më shumë se dy vitesh negociata. Sipas kryesueses së EFTA-s, Cecilie Myrseth, Kosova është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që në këtë marrëveshje, me kërkesë të saj, ka përfshirë edhe shërbimet.

Marrëveshja ofron mundësi të shumta, përfshirë për importimin dhe eksportimin e mallrave. Produktet me origjinë nga Kosova do të mund të eksprotohen në vendet e EFTA-s dhe kompanitë vendore nuk do të kenë nevojë që të paguajnë tarifë doganore për to.